Vazhdojnë kërcënimet për bombë në Shkup, anulohet ngjarja ku pritej pjesëmarrja e kryeministrit

Kërcënimi për bombë ka ardhur në adresën elektronike të hotelit, ndërkohë, kërcënime të ngjashme kanë arritur edhe në adresat elektronike të FFM-së, sallës sportive “Boris Trajkovski” dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

Kërcënimet për bombë të vendosura në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, kuese ndër objektivat këtë herë ishte edhe hoteli ku ishte organizuar një ngjarje në të cilën pritej edhe pjesëmarrja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, si dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca, tashmë e anuluar, ishte organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, ndërsa fjalime në hapjen e konferencës ishin paralajmëruar nga kryeministri Kovaçevski, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Kërcënimi për bombë ka ardhur mëngjesin e sotëm në adresën elektronike të hotelit, ndërkohë, kërcënime të ngjashme kanë arritur edhe në adresat elektronike të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), sallës sportive “Boris Trajkovski” dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

Kërcënimi për bombë mëngjesin e sotëm në aeroportin ndërkombëtar shkaktoi anulimin e të gjitha fluturimeve, ndërkohë, konfirmohet edhe për evakuuimin e stafit dhe pasagjerëve nga godina e aeroportit.

Shefja e departamentit të marrëdhënieve me publikun pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Natalija Spirova, për AA konfirmoi kërcënimet për bombë të vendosura në vendet e lartpërmendura. Ajo theksoi se në sektorët për punë të brendshme në Shkup dhe në Manastir është raportuar edhe për kërcënime për mjete shpërthyese të vendosura në dhjetë shkolla në Shkup dhe pesë në Manastir.

“Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po vijojnë kontrollet anti-terroriste. Po merren masa për zbardhjen e rasteve”, tha Spirova.

Në kryeqytet ditëve të fundit ka pasur kërcënime të shumta për bombë dhe objektivat ishin shkollat fillore dhe të mesme, qendrat tregtare dhe institucionet.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Punëve të Brendshme, dita e djeshme ishte dita me më së shumti raportime për bomba në shkollat e vendit, që kur kërcënimet nisën në fund të muajit tetor. Ministria theksoi se dje mbi 50 shkolla fillore dhe të mesme në Shkup dhe Kumanovë ishin cak i kërcënimeve përmes adresave elektronike për mjete shpërthyese të vendosura, ndër të cilat 17 shkolla fillore dhe 22 të mesme nga kryeqyteti.

Deri më tani, policia e vendit, pas kontrollove, të gjitha kërcënimet për bombë i konstatoi se ishin të rreme.

Kategoritë
LajmeRajoni