Teksa jashtë mbaheshin protesta, brenda objektit, Zharko Miçin u zgjodh kryetar i komunës nga Partia Progresive Serbe në pushtet, në një seancë pa përfaqësues të opozitës.
Qytetarë të pakënaqur serbë këtë mëngjes qëlluan me vezë policinë dhe ndërtesën e Kuvendit të Novi Sadit, ku u mbajt seanca për zgjedhjen e kryetarit të ri të komunës, raporton Anadolu.
Demonstruesit u mblodhën para fillimit të seancës, ku u përballën me gardhe rreth ndërtesës dhe me forca policore. Gazetarët u lejuan të hynin në ndërtesën e Kuvendit pas kontrolleve rigoroze ndërsa anëtarët e opozitës nuk u lejuan të hynin.
Më pas, demonstruesit filluan të hedhin vezë, duke goditur forcat policore dhe ndërtesën e Kuvendit të Novi Sadit.
U aktivizuan edhe forcat e xhandarmërisë, por kjo nuk i ndali protestuesit, të cilët përpos vezëve, përdorën edhe bojë të kuqe, letra higjienike dhe miell.
Në ndërkohë, brenda objektit, Zharko Miçin u zgjodh kryetar i komunës nga Partia Progresive Serbe në pushtet, në një seancë pa përfaqësues të opozitës.
Miçin është avokat dhe deri vonë ka qenë shef i kabinetit të kryeministrit serb në dorëheqje, Millosh Vuçeviq.
Përpos kësaj proteste, studentët vazhdojnë bllokadën dhe protestat, me kërkesa për përgjegjësi penale dhe politike për rënien e një pjese të kulmit të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona.