Vazhdojnë protestat në Shkup, seanca për propozimin francez caktohet për të enjten

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut njoftoi se seanca në të cilën deputetët do të debatojnë mbi propozimin francez do të mbahet të enjten pas mesdite. Para deputetëve pritet të adresohet edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Protestat në Shkup kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), kanë vazhduar edhe sonte, raporton Anadolu Agency (AA).

Me moton “Ultimatum – jo faleminderit”, demonstruesit e filluan protestën para qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe vazhduan drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së fundmi ndaluan para Shtëpisë ligjvënëse.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, seanca në të cilën deputetët do të debatojnë mbi propozimin francez do të mbahet të enjten pas mesdite. Para deputetëve të vendit pritet të adresohet edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Hristijan Mickoski, lider i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, e cila mbështet protestat kundër propozimit francez, tha se çdo mysafir është i mirëseardhur, por shpreson që von der Leyen “do të jetë e drejtë dhe do t’i dëgjojë edhe mendimet e deputetëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

“(Shpresoj) që nuk do të qëndrojë vetëm të adresohet, por do të qëndrojë pak edhe për të dëgjuar argumentet tona, sepse ky është thelbi, çdokush është i mirëseardhur, duam të dëgjojmë cfarë mendojnë, por duam edhe të na dëgjojnë çfarë mendojmë. Kjo është demokracia dhe këta janë vlerat e vërteta evropiane”, theksoi Mickoski.

Protestat kaluan pa incidente, ndërsa demonstruesit porositën se do të vazhdojnë protestat në ditët në vijim.

Më 30 qershor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me Qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, ditët e kaluara ka theksuar se propozimi aktual i Francës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është i njëjti me atë të mëparshëm dhe se, sipas tij, përmban “të gjitha kërkesat bullgare në aspektin e gjuhës, historisë dhe identitetit”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e palës maqedonase dhe se parasheh një pranim të qartë të gjuhës maqedonase.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kategoritë
LajmeRajoni