Vazhdon rritja e çmimeve edhe këtë vit, këto janë produktet që u shtrenjtuan

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe në fillim të këtij viti. Nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2022, çmimet e produkteve kanë lëvizur.

Lëvizja e çmimeve vërehet edhe në një tabelë që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, në faqen zyrtare.

Aty figuron se janë shtrenjtuar kafja e bluar, çaji, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çaji është shtrenjtuar për 67 centë.

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe më 3 janar. Sipas tabelës së ASK’së, janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uju natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë.

Ndërkohë produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar prej 1 deri në 4 centë.

Ndryshe, për vitin 2023, Banka Qendrore e Kosovës parasheh rënie të inflacionit.

Guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, ka thënë se do të ketë ulje të inflacionit deri në 6 përqind.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, ka deklaruar Mehmeti për REL.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi