Vazhdon të ulët edhe më shumë çmimi i naftës në tregun amerikan

Çmimet e naftës në SHBA ranë më shumë se 6 për qind këtë mëngjes në më pak se 97 dollarë për fuçi. Çmimi ra me 4.05 për qind edhe në tregun e Londrës, në 102.60 dollarë.

Javën e kaluar, çmimi i naftës në tregun amerikan ishte pothuajse 125 dollarë, ndërsa të premten e kaluar kishte rënë në 109 dollarë për fuçi.

“Mundësia e një zgjidhjeje diplomatike të situatës në Ukrainë mund të lehtësojë tronditjen e furnizimit me energji në botë. Sa i përket kërkesës për naftë, përgjigja agresive politike e Kinës ndaj numrit në rritje të rasteve me Covid mund të rezultojë në rënien e kërkesës për naftë në ekonominë e dytë më të madhe në botë”, tha menaxherja e kompanisë për investimeve Interactive Investor, Victoria Scholar.

Marshall Gittler nga BDSwiss theksoi se çmimet e naftës nuk u përshkallëzuan aq shumë një muaj më parë, para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, shkruan Barron’s.

“OPEC dhe të tjerët theksojnë se aktualisht nuk ka mungesë të naftës, vetëm frikë se mund të mungojë në të ardhmen. Çmimi i naftës në të ardhmen e largët nuk duhet të jetë shumë i ndryshëm nga një muaj më parë”, tha Gittler.

Çmimet janë rritur që nga viti i kaluar

Çmimet e naftës janë rritur që nga viti i kaluar, i nxitur nga një rimëkëmbje e fortë e kërkesës nga kriza e COVID-19  dhe prodhimit kryesisht të qëndrueshëm nga eksportuesit kryesorë. Sanksionet kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës ishin gjithashtu një nxitje e fortë.

Sanksionet e kanë bërë më të vështirë për bankat të paguajnë dhe prodhuesit rusë e kanë të vështirë të gjejnë transport, sepse kompanitë logjistike dhe tregtare kanë frikë nga sanksionet.

Prodhimi rus i naftës dhe gazit u rrit në 11.12 milionë fuçi në ditë (BPD) në mars, thanë dy burime për Reuters, pavarësisht sanksioneve ndaj naftës ruse.

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës të kombinuara dhe furnizon rreth shtatë milionë fuçi në ditë, ekuivalente me shtatë për qind të furnizimit botëror, sipas Reuters.

Kategoritë
Ekonomi