Vdes fëmija i vetëm i legjendës së muzikës Elvis Presley

Sipas raportimeve, Lisa Marie Presley ka pësuar arrest kardiak

Këngëtarja amerikane Lisa Marie Presley, fëmija i vetëm i legjendës së ndjerë të muzikës “rock and roll”, Elvis Presley, ka vdekur të enjten në moshën 54-vjeçare, njoftoi e ëma e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me zemër të pikëlluar më duhet të ndaj lajmin e trishtë që vajza ime e bukur Lisa Marie na ka lënë”, tha Priscilla Presley në një deklaratë për revistën “People”.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Presley ka vdekur disa orë pasi shërbyesja e saj e ka gjetur atë pa ndjenja në dhomën e saj të gjumit në Calabasas të Kalifornisë.

Ish-bashkëshorti i saj, aktori dhe muzikanti Danny Keough, ka kryer CPR derisa ka mbërritur urgjenca. Ajo është dërguar me urgjencë në spital për shkak të dyshimit për arrest kardiak.

Presley më pas është vënë në koma të induktuar me stimulues kardiak të përkohshëm, por ka ndërruar jetë disa orë më vonë.

Kategoritë
BotaLajme