Vdes në moshën 82-vjeçare ylli i “The Godfather”, James Caan

Caan është i njohur në mbarë botën për rolin e Santino “Sonny” Corleone, vëllai i personazhit të Al Pacino, Michael, në filmin mafioz të Francis Ford Coppola të vitit 1972.

James Caan, aktori ikonë, i cili njihet më së miri për rolin e tij në “The Godfather” ka vdekur në moshën 82-vjeçare.

“Me pikëllim të madh ju informojmë për ndarjen nga jeta të Jimmy në mbrëmjen e 6 korrikut”, shkroi familja e tij në një njoftim në llogarinë e aktorit në Twitter të enjten. “Familja vlerëson dashurinë dhe ngushëllimet e përzemërta dhe kërkon që të vazhdoni të respektoni privatësinë e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë”, thuhet më tej.

Caan është i njohur në mbarë botën për rolin e Santino “Sonny” Corleone, vëllai i personazhit të Al Pacino, Michael, në filmin mafioz të Francis Ford Coppola të vitit 1972.

Në një intervistë për 50-vjetorin e filmit në fillim të këtij viti, Caan vlerësoi fuqinë e jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë së filmit.

“Një nga gjërat që e bëri ‘Kumbarin’ të suksesshëm, përveç regjisë dhe skenarit brilant dhe aktorëve të mrekullueshëm ishte se të gjithëve u pëlqeu vërtet ta realizonin atë”, tha ai.

Caan fitoi një nominim për Çmimin Oscar për aktorin më të mirë në një rol dytësor së bashku me aktorët e tjerë Al Pacino dhe Robert Duvall. “The Godfather” fitoi çmimin e filmit më të mirë në Academy Awards.

Përveç rolit të tij mafioz në “The Godfather”, Caan luajti autorin Paul Sheldon në trilerin psikologjik të vitit 1990 “Misery” si dhe lojtarin e futbollit të Chicago Bears, Brian Piccolo në biografinë televizive të vitit 1971 “Brian’s Song”.

Kategoritë
BotaLajme