Vedat Muriqi me rrëfim emocionues për La Liga: Më kujtohet se çfarë ndodhi gjatë luftës, ishte një kohë e tmerrshme

Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi vazhdon të tregojë për vështirësitë e vendit tonë gjatë periudhës së luftës.

Në një intervistë për La Liga, sulmuesi i Mallorca rrëfeu kohën e luftës në Kosovë.

Ai tregoi se cilat kanë qenë sakrificat e tij dhe të familjes së tij për të arritur këtu ku është sot.

“Kam lindur më 24 prill në vitin 1994 në Prizren të Kosovës. Prindërit më thanë se para luftës ishte mirë. Më kujtohet se çfarë ndodhi gjatë luftës, ishte një kohë e tmerrshme. Unë gjithmonë them që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë këtë gjë. Ne lamë shtëpitë tona për të shkuar në Shqipëri. Ne jetonim në një shtëpi me 50 persona të tjerë”, tha fillimisht Muriqi.

“Të gjithë ne që kemi jetuar luftën i vlerësojmë gjërat shumë më tepër. Është kjo përvojë që më ka ndihmuar të arrij këtu. Gjithmonë them se para se të mbërrija këtu kam pasur dyshime sepse më duhej të ndërroja shtet dhe më duhej të lija miqësitë e mia. Por tani mund të them se kam bërë zgjedhjen e duhur të jetës sime, sepse edhe familja ime dhe unë jemi të lumtur në Spanjë. Ata më bënë të ndihem i mirëpritur që në momentin e parë që mbërrita. Kjo më dha shumë besim”, është shprehur kosovari.

Kujtojmë që në 15 paraqitje këtë sezon në ligën spanjolle, Vedat Muriqi ka shënuar plot tetë gola dhe ka dhuruar një asistim.

Më poshtë lajmi.net jua përcjell rrëfimin e prizrenasit për ligën spanjolle./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeSport