Vëllai i Mbappes po përparon në radhët e PSG-së

Futbollisti francez Kylian Mbappe është një yll i madh në botën e futbollit dhe vëllai i tij Ethan duket se po ndjek një rrugë të ngjashme.

Mbappe e dëshmoi veten shumë kohë më parë dhe shkëlqeu në Botërorin e Katarit duke luajtur për kombëtaren franceze. Ndonëse u ndal në finale me bashkëlojtarët, ai sërish ishte i shkëlqyer me tetë gola dhe dy asistime. Vëllai i tij Ethan e shfrytëzoi pushimin në kampionat për t’u dëshmuar në radhët e PSG-së. Ai u bë i rregullt në seancat stërvitore të klubit francez dhe madje bëri debutimin e tij në një miqësore kundër Quevilly Rouen më 21 dhjetor. Ai luajti 20 minuta dhe skuadra e tij fitoi 3:1.

Me rikthimin e ndërkombëtarëve në skuadër, 16-vjeçari Ethan ka gjasa të ribashkohet me ekipin e të rinjve ku ka dy asistime. Ai është një lojtar mëngjarash që luan në mesfushë, dhe tashmë njihet për ndërhyrjet e tij të shkëlqyera. Një vit më parë ai vazhdoi kontratën me PSG-në dhe së fundmi u thirr në Kombëtaren U16 të Francës.

Kategoritë
Sport