Vëllau i Arbër Zenelit thotë se do ta ‘braktiste’ Kosovën nëse merr ftesën e Suedisë

Vëllau i Arbër Zenelit, Besfort Zeneli, në një intervistë për mediumin suedez Aftonbladet.se, ka deklaruar se do ta zgjidhte Suedinë para Kosovës në rast se i vjen ftesa nga të dyja përfaqësueset.

21-vjeçari aktualisht aktivizohet në radhët e Elfsborgut në Suedi, aty ku luan edhe vëllau i tij Arbëri i cili kur kishte mundësinë të bëntë zgjedhjen mes Suedisë dhe Kosovës, vendosi që ta vesh fanellën e ‘Dardanëve’.

Besforti ka gjashtë paraqitje për Kosovën U21, por ai asnjëherë nuk është kontaktuar nga Federata Suedeze e Futbollit.

“Është pak e vështirë edhe për kombëtaren suedeze. Unë kam shkëlqyer nën urdhrat e Oscar Hiljemark”.
“Kam kaluar një kohë të vështirë kur isha më i ri dhe nuk shkoi aq mirë. Nuk kisha të drejtë të luaja për asnjë kombëtare atëherë, por kam qenë i duruar dhe kam luftuar”, ka thënë fillimisht Zeneli.

“Suedia do të jetë gjithmonë pranë meje. Sigurisht, nëse me jepet rasti dhe më thërrasin, do ta zgjedh gjithmonë Suedinë”.

“Nëse Federata më kontakton, do të doja shumë të luaja për Suedinë. Tani e kam Kosovën dhe i ndjej edhe ata. Nëse asgjë nuk ndodh me Suedinë, mund të vazhdoj të luaj për Kosovën”, është shprehur ai.

Në fund ai tha se cila do qoftë zgjedhja e tij në të ardhmen, ai e ka mbështetjen e plotë të familjes së tij.

“Ata më mbështesin në atë që mendoj se është e drejtë për mua, se unë duhet të zgjedh atë që e ndjej më mirë në zemrën time”, përfundoi Zeneli.

Kategoritë
Sport