Vendet baltike nuk do t’u japin azil personave që ikin nga Rusia

Ministri lituan i Mbrojtjes Arvydas Anusauskas deklaroi se vendimi për t’u regjistruar në ushtri nuk është arsye e mjaftueshme për të drejtën e kërkimit të azilit, por se azil politik u jepet atyre që përndiqen për bindjet e tyre

Vendet baltike njoftuan se atyre që ikin nga Rusia për shkak të vendimit për mobilizim të pjesshëm të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin, nuk do t’u jepet azil, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas vendimit për mobilizim të pjesshëm të Putinit, mijëra njerëz nxituan drejt kalimeve kufitare të vendeve fqinje.

Ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkevics njoftoi se shtetasve rusë nuk do t’u jepen viza për arsye sigurie.

Rinkevics deklaroi se ata vendosën të ndërmarrin një hap të tillë në mënyrë që të pengojnë Putinin të shantazhojë vendin e tij dhe të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

Ministri lituan i Mbrojtjes Arvydas Anusauskas deklaroi se vendimi për t’u regjistruar në ushtri nuk është arsye e mjaftueshme për të drejtën e kërkimit të azilit, por se azil politik u jepet atyre që përndiqen për bindjet e tyre.

Ministri i Brendshëm estonez Lauri Laanemets gjithashtu potencoi se “pushtimi rus i Ukrainës” është përgjegjësi kolektive e të gjithë rusëve dhe tha se pranimi i këtyre rusëve në vendin e tyre mund të jetë një shkelje e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE).

Laanemets shprehu shpresën se masa e fundit e Putinit do të rrisë pakënaqësinë në Rusi, duke shtuar se nuk janë vetëm ushtarët ose pjesët e largëta të Rusisë që u vunë në rrezik, por e gjithë popullsia.

Autoritetet finlandeze të rojës kufitare kanë raportuar një rritje të fluksit të kalimeve në Finlandë pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm në Rusi.

Kategoritë
BotaLajme