Më shumë se tre dekada pasi u larguan nga Bashkimi Sovjetik, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë filluar procesin e shkëputjes nga rrjeti energjetik rus dhe tërësisht integrimin në rrjetin e Bashkimit Evropian.
Procesi dyditor nisi mëngjesin e sotëm, ndërsa banorëve iu kërkua të mbushnin pajisjet me energji, të siguronin ushqime dhe ujë dhe të përgatiteshin sikur të ishte paralajmëruar mot i keq, raporton BBC.
Shumë prej tyre u këshilluan të mos përdornin ashensorët, ndërsa në disa zona semaforët do të fiken përkohësisht.
Një orë gjigante e ndërtuar posaçërisht do të numërojë sekondat e fundit para tranzicionit në ceremoninë që do të mbahet nesër në kryeqytetin e Lituanisë, ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Tre shtetet do të shkëputen zyrtarisht nga rrjeti që i ka lidhur me Rusinë që pas Luftës së Dytë Botërore.
I ashtuquajturi rrjeti energjetik Brell, që përfshin Bjellorusinë, Rusinë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, ka qenë kryesisht nën kontrollin e Moskës dhe prej kohësh është konsideruar i cenueshëm për ish-republikat sovjetike, të cilat tani janë anëtare të NATO-s.
Megjithëse që nga viti 2022 asnjë nga këto vende nuk ka blerë energji nga Rusia, lidhja e tyre me rrjetin Brell i bënte ende të varura nga Moska për rrjedhën e energjisë.
Pas shkëputjes, tre vendet do të kryejnë teste të frekuencës përpara se të integrohen në rrjetin evropian të energjisë përmes Polonisë të dielën.
“Tani po heqim aftësinë e Rusisë për të përdorur sistemin energjetik si një mjet shantazhi gjeopolitik,” tha ministri lituanez i energjisë, Zygimantas Vaiciunas, për agjencinë e lajmeve AFP.
“Ky është kulmi i përpjekjeve të bëra për më shumë se 10 ose 20 vjet për të reduktuar këtë varësi energjetike. Kur shtetet baltike iu bashkuan BE-së dhe NATO-s, të gjithë thoshin se ato ishin një ishull energjetik që ende varej nga rrjeti i përbashkët elektrik me Bjellorusinë dhe Rusinë,” tha për BBC profesori David Smith nga Njësia Kërkimore Baltike në Universitetin e Glazgovit.
Sipas tij, “kjo varësi tani është plotësisht e thyer”.
Tensionet midis shteteve baltike dhe Rusisë, të cilat ndajnë një kufi të përbashkët prej 874 kilometrash, janë rritur që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Që atëherë, një seri incidentesh sabotimi, që mendohet të jenë të lidhura me kabllot elektrike dhe tubacionet në Detin Baltik, kanë shkaktuar frikën se Moska mund të hakmerret për shkak të kalimit të vendeve baltike në rrjetin energjetik të BE-së.