Vendet perëndimore dënojnë vendosjen e mercenarëve të Grupit Wagner në Mali

Në deklaratë thuhet se vendosja e trupave në Mali mund të përkeqësojë situatën e sigurisë në Afrikën Perëndimore dhe të çojë në ankesa për të drejtat e njeriut

Vendet perëndimore dënuan ashpër vendosjen e mercenarëve të Grupit Wagner të mbështetur nga Rusia në Mali, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendet perëndimore, duke përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Republikën Çeke, Danimarkën, Estoninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Lituaninë, Holandën, Norvegjinë, Portugalinë, Rumaninë, Spanjën, Suedinë dhe Anglinë, në deklaratën e tyre të përbashkët me shkrim, reaguan për dërgimin e trupave të Wagner Group në Mali.

Në deklaratë thuhet se vendosja e trupave në Mali mund të përkeqësojë situatën e sigurisë në Afrikën Perëndimore dhe të çojë në ankesa për të drejtat e njeriut.

“Si partnerë ndërkombëtarë të përkushtuar për të mbështetur Malin dhe popullin e saj në përpjekjet për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm dhe për të luftuar terrorizmin, ne dënojmë fuqishëm vendosjen e mercenarëve në tokën e Malit”, thuhet në deklaratë.

Duke theksuar se hapi në fjalë mund të kërcënojë marrëveshjet e paqes dhe pajtimit në Mali, u paralajmërua se mund të pengohen përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët dhe për të ofruar mbështetje për forcat e armatosura të Malit.

Në deklaratë shprehet keqardhje e thellë që qeveria kalimtare e Malit ka zgjedhur të përdorë fondet publike për të paguar mercenarët e huaj në vend që të mbështesë Forcat e Armatosura të Malit.

Duke theksuar se Rusia është e vetëdijshme për përfshirjen e saj në ofrimin e mbështetjes financiare për vendosjen e grupit Wagner në Mali, në deklaratë i kërkohet Rusisë t’i kthehet sjelljes së përgjegjshme dhe konstruktive në rajon.

“Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona për të përmbushur nevojat e popullit të Malit”

“Ne kujtojmë vendimet e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) dhe shqetësimet e tyre për rrezikun e destabilitetit për rajonin nëse kompanitë private të sigurisë vendosen në Mali. Kujtojmë gjithashtu se Bashkimi Evropian miratoi një sërë masash kufizuese kundër grupit Wagner dhe 8 personave dhe 3 organizatave të lidhura me të, të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë torturën. Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona për të përmbushur nevojat e popullit të Malit”, thuhet në deklaratë.

Në përputhje me qëllimet e Koalicionit Ndërkombëtar Sahel, ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe vlerësojmë nga afër mbrojtjen e civilëve, duke mbështetur luftën kundër terrorizmit në Sahel dhe zhvillimin e qëndrueshëm, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ofrimin e shërbimeve publike. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kalimtare të Malit që të reformojnë dhe rivendosin rendin kushtetues përmes përgatitjes dhe mbajtjes në kohë të zgjedhjeve, siç janë zotuar para popullit të Malit, ECOWAS dhe komunitetit ndërkombëtar. Ne mbështesim plotësisht vendimet përfundimtare të ECOWAS për këtë çështje.”

Kategoritë
BotaLajme