Venezuela dhe Kolumbia mbështetën presidentin e Brazilit, Lula da Silva, i cili i krahasoi sulmet e dhunshme të Izraelit kundër civilëve në Gaza me gjenocidin e Hitlerit kundër hebrenjve
Venezuela dhe Kolumbia mbështetën presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili i krahasoi sulmet e dhunshme të Izraelit kundër civilëve në Gaza me gjenocidin (Holokaustin) të Adolf Hitlerit kundër hebrenjve, transmeton Anadolu.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro në programin televiziv që mori pjesë dje deklaroi se lideri nazist Adolf Hitler ishte “një përbindësh i prodhuar nga perëndimorët”.
“Siç tha presidenti Lula, ajo që po bën qeveria izraelite është e njëjta gjë që Hitleri i bëri popullit hebre”, tha Maduro.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro në deklaratën e tij në llogarinë e rrjetit social X mbështeti Lula da Silva-n.
“Shpreh solidaritetin tim të plotë me presidentin brazilian, Lula. Në Gaza po ndodh një gjenocid dhe mijëra fëmijë, gra dhe civilë të moshuar po vriten poshtërisht. Lula ka thënë vetëm të vërtetën dhe e vërteta duhet mbrojtur, përndryshe barbaria do të na eliminojë”, tha Petro.
Petro dhe Maduro i bënë thirrje Izraelit të përfundojë sulmet e tij në Gaza.
Lula da Silva e përshkroi pushtimin e Gazës nga Izraeli si “gjenocid”
Presidenti brazilian, Lula da Silva e përshkroi pushtimin e Gazës nga Izraeli si “gjenocid”, duke e krahasuar atë me veprimet e liderit nazist, Adolf Hitler dhe tha se ajo që ndodhi në Rripin e Gazës “nuk është luftë, por gjenocid”.
Ndaj deklaratave të Lula da Silvës reagoi edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe deklaroi se “vija e kuqe u kalua”. Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz tha se Lula da Silva u shpall “person non grata” në përgjigje të krahasimit të pushtimit të Gazës nga Izraeli me veprimet e liderit nazist Hitler.
Brazili thirri dje ambasadorin e tij në Tel Aviv për “konsultime” pasi Izraeli e shpalli Lula da Silva-n “person non grata”.