Verma në Beograd: Sanksionet e SHBA-së janë kundër Rusisë, jo Serbisë

Presidenti serb Vuçiq dhe Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, diskutuan në Beograd sanksionet e vendosura nga SHBA-ja kundër subjekteve ruse në mbarë botën, përfshirë NIS-in

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, tha se sanksionet e vendit të tij janë kundër Rusisë dhe jo Serbisë, raporton Anadolu.

Verma i bëri këto komente sot në Beograd pas bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për një sërë temash, duke përfshirë sanksionet e vendosura nga SHBA-ja kundër subjekteve ruse në mbarë botën, duke përfshirë Industrinë e Naftës të Serbisë (NIS).

“NIS-i është një nga dy mijë kompanitë. Qëllimi është heqja e pronësisë ruse nga struktura e tyre e pronësisë dhe ne kemi biseduar me presidentin se si ta bëjmë këtë ndryshim në strukturën e pronësisë. Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse në kompani hiqet”, tha Verma.

“Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të ndihmojë rajonin të ketë më shumë paqe dhe ne do të ndihmojmë, si partner, Serbinë të diversifikojë burimet e veta të energjisë dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim”, shtoi Verma.

Ai theksoi se Serbinë e ka vizituar edhe për hir të partneritetit në shumë tema, me qëllim që të ketë progres në integrimet evropiane dhe që Ballkani Perëndimor të jetë në paqe dhe stabilitet.

Ai shtoi se është diskutuar edhe për dialogun strategjik, i cili, sipas tij, është një format për angazhimin e qeverive në temat kyç të bashkëpunimit, si bashkëpunimi ushtarak, energjia dhe respektimi i shtetit të së drejtës.

Ndërkaq, Vuçiq theksoi se në takim u diskutua edhe për sanksionet kundër subjekteve ruse në mbarë botën, përfshirë NIS-in, por se Serbia nuk është objektiv.

“Diku rreth 30 vende, sipas llogaritjeve fillestare, janë prekur në mënyra të ndryshme nga këto sanksione, ose subjekte në ato vende, por kudo bëhet fjalë për pronat, kapitalin dhe interesat ruse. Siç tha Verma, ne nuk ishim objektivi, megjithëse kjo është ngushëllim i dobët për ne”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se kanë biseduar edhe për marrëdhëniet serbo-amerikane dhe se do të ngrenë temën e dialogut strategjik me Washingtonin.

“Kjo nuk është diçka që ka gjasa të zgjidhë dialogun, as të zgjidhë të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet, veçanërisht në lidhje me Kosovën, por hap mundësi të mëdha për të gjitha qeveritë e ardhshme në Serbi dhe të gjitha administratat e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve u theksuan disa fusha, si lidhjet mes njerëzve, mbështetja për zgjerimin e shkëmbimeve kulturore, arsimore dhe profesionale, iniciativat rajonale, tregtia, investimet, bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe energjia.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se shumë kompani në Rusi dhe më gjerë janë nën sanksione.

Ndër subjetet nën sanskione është “NIS AD Novi Sad”, e cila është në pronësi të Gazpromit rus që nga viti 2008. Përveç NIS-it, janë sanksionuar edhe filialet e Gazpromit në Kazakistan, Kirgistan, Luksemburg dhe Taxhikistan.

Vendimet e sanksioneve janë në përputhje me politikën e SHBA-së për të synuar ekonominë ruse pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe luftës në Ukrainë.

Kategoritë
LajmeRajoni