Vetëm 24-vjeç, Kylian Mbappe bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e PSG-së

Kylian Mbappe shkroi mbrëmë historinë me Paris Saint-Germain, teksa vetëm në moshën 24-vjeçare u bë golashënuesi më i mirë i klubit.

Në fitoren e mbrëmshme 4-2 ndaj Nantes, Mbappe shënoi golin e 201-të me fanellën e Paris Saint-Germain, duke u bërë kështu golashënuesi më i mirë në historinë e klubit parizian.

Ai “spostoi” nga vendi i parë Edinson Cavanin, i cili shënoi saktësisht 200 gola në 301 paraqitje. Për krahasim, Mbappes iu deshën vetëm 247 ndeshje për të arritur rekordin.

Për nder të Mbappes, pas ndeshjes u zhvillua një ceremoni ku atij iu dha trofeu me numrin 201.

“Unë luaj për të shkruar histori. Gjithmonë kam thënë se dua të shkruaj histori në Francë, në kryeqytetin tim. Kjo është ajo që po bëj, ndjenja është e bukur, por kam ende një rrugë të gjatë për të bërë. Është një sukses personal, por kam ardhur edhe për sukses kolektiv”, tha Mbappe, i cili kështu theksoi edhe një herë se prioriteti i tij është fitimi i Champions League me PSG.

Kategoritë
Sport