Veteranët paralajmërojnë se do të ketë protesta, Klinaku: Qeveria do të ketë probleme çdo ditë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka paralajmëruar protesta në oborrin e Kuvendit të Kosovës, nëse do të dalë për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale.

Klinaku ka thënë se degët e kësaj organizatë janë informuar dhe se në momentin kur do të sillet në seancë për lexim të dytë, do të thirret protestë.

Klinaku ka thënë se nëse i njëjti projektligj kalon, do të ketë probleme të mëdha Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

“Ne vetëm jemi duke u përgatit, ne që nga atëherë e kemi thënë se qëndrimi jonë vazhdon të jetë i palëkundur dhe kemi thënë se do të dalim prapë në protestë dhe jemi duke u përgatitur. I kam njoftuar degët që të aktivizohen, sepse ne do të jemi në oborr të Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar një shkelje që këta po ia bëjnë veteranëve të luftës. Edhe nëse kalon, do të ketë probleme Qeveria për çdo ditë, nuk do ta lëmë rehat që të punojë. Përderisa shkel ligje, kjo Qeveri nuk meriton që të jetë e tillë por duhet të shkojë në shtëpi”, tha Klinaku në një intervistë për Ekonomia Online.

Kreu i veteranëve ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka qëndrim ndryshe nga paraardhësit e tij. Sipas Klinakut, shefi i Qeverisë nuk po i ndihmon veteranët as me mjete për rehabilitim.

“Ne që nga zgjedhja si kryeministër, kemi kërkuar që të takohemi me të që t’ia urojmë detyrën dhe kemi prit disa muaj, ne jemi takuar dy herë por për kurrfarë rezultati sepse nuk janë duke u interesuar që të bëhet zgjidhje për veteranët e luftës, dhe po ashtu prej se ka ardh në pushtet, si OVL e UÇK, asnjëherë nuk na ka ndihmuar fare, sikurse që na kanë ndihmuar Qeveritë e kaluara, por nuk u ka ndihmuar as veteranëve të luftës, sepse edhe rehabilitimi që i kemi dërguar veteranët në Banjë, kjo Qeveri nuk e ka miratuar asnjëherë një veteran për rehabilitim edhe pse është paraparë me ligj”, u shpreh Klinaku.

Ndërsa për deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati se do të ketë Ligj të ri për veteranët, Klinaku i quan mashtrime dhe fushatë elektorale.

Sipas Klinakut, një ligj i tillë nuk mund të bëhet, përderisa dosjet dhe dokumentacionet gjenden në Gjykatën Themelore.

“Këta po bëjnë fushatë elektorale, janë duke e përgatitur opinionin për të dalë në lexim të dytë që çështja e veteranëve të luftës të hiqen nga paga minimale. Qëllimi i tyre është vetëm kjo, që të përgatitet opinioni që të miratojnë ligjin që veteranët t’i largojë nga paga minimale, ashtu siç është e përcaktuar me ligj. Verifikim nuk munden me bë, flasin kot sepse lënda është në Gjykatë dhe ne i kemi dërguar ato lista që kemi dyshuar se ka fryrje të listave, dhe përderisa është një proces gjyqësor, ata vetëm po e mashtrojnë publikun se nuk guxojnë me prek. Si mund të bëhet verifikim i veteranëve të luftës kur asnjë dosje nuk është në zyrat e tyre”, tha ai.

“Kjo çështje është kur ne kemi mbajt protestë dhe prejse e kemi dërguar shkresën, për neve nuk na pengon dhe nuk jemi duke e kundërshtuar çfarëdo ligji nëse bëhet në favor të veteranëve të luftës, por qëllimin e kanë vetëm të mashtrojnë, sepse kjo çështje nuk mund të bëhet përderisa nuk ka dosje. Për kurrfarë ligji nuk bëhet fjalë, vetëm po mashtrojnë”, u shpreh tutje Klinaku.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme