Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka thënë se Vetëvendosje do të ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për votat me postë.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të dielën e ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e LVV-së për përsëritjen e votimit përmes postës.
Kurteshi, në mbledhjen e KQZ-së të hënën, tha se LVV-ja e konsideron arbitrar vendimin e PZAP-së.
“Unë kam përshtypjen dhe jo vetëm përshtypjen, por ka edhe fakte, që kjo bëhet në mënyrë arbitrare nga vet PZAP-ja. Rasti i fundit, dje ne si Vetëvendosje kemi bërë një ankesë dhe është shpallur e pasafatshme dhe unë mendoj se ai është vendim i padrejtë dhe arbitrar i PZAP-së sepse ne jemi bazuar në një njoftim të KQZ-së për përfundimin e numërimit të votave në QNR. Meqenëse ankesa ka qenë për rivotim me postë dhe ka të bëjë me krejt procesin, është dashur të pritet përfundimi i numërimit. Ne i jemi përmbajtur afatit sipas njoftimit të Sekretariatit të KQZ-së që ka qenë ora 09:00”, tha Kurteshi.
“Unë nuk e di se në cilën mënyrë e ka gjetur PZAP-ja orën 16:00. Ne do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme tash”, deklaroi Kurteshi.
LVV-ja e akuzon direkt Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për “manipulim të votave me postë”.
Sipas LVV-së, “vëzhguesit e VV gjatë numërimit të votave të dërguara me postë kanë grumbulluar fakte e prova me dëshmi për shkeljet e manipulimin e fletëvotimeve për llogari të LDK-së”.