Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres INPO, në një konferencë për medie kanë publikuar raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë: (Zgjedhjet Parlamentare 2025: Analizë e listave të kandidatëve dhe programeve politike), raporton Ekonomia Online.
Sipas këtij raporti sa përket listave të kandidatëve, të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptimin e aktakuzave aktive dhe dënimeve, tre subjekte politike, Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni AAK-Nisma; dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë përfshirë në listat e tyre gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin, që përbëjnë rreth 7% të totalit të kandidatëve të tyre.
Sipas Burbuqe Kastrati, nga Lëvizja FOL, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh me 14 kandidatë me 12.72% e listës, koalicioni AAK-Nisma ka përfshirë tetë kandidatë 7.27% dhe LDK me një kandidat.
“Nga 23 kandidatët për deputetë me probleme ligjore, 16 prej tyre përballen me aktakuza aktive, ndërsa tetë kanë dënime të formës së prerë. Në total, ndaj këtyre kandidatëve janë ngritur 20 aktakuza për 21 vepra penale, që përfshijnë veprat penale të korrupsion si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ashtu edhe vepra të tjera penale, si përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nëntë raste, mbajtja e paautorizuar e armëve pesë raste, pengimi apo sulmi ndaj personave zyrtarë dhe vepra të tjera të natyrës kriminale”, ka thënë ajo.
Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD, ka folur për plan programet e partive politike për sa i përket sundimit të ligjit.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e trajton drejtësinë vetëm në një faqe të programit të saj dhe nuk i referohet fare Strategjisë për Sundimin e Ligjit. Ai ka shtuar se, aty propozohet krijimin e një Gjykate për çështje familjare, një Prokurorie të Specializuar dhe një Zyre për Hetime Disiplinore, por pa ndonjë analizë të thelluar mbi nevojën dhe funksionalitetin e tyre.
Ai ka theksuar se mungesa e një plani të detajuar dhe dublifikimi i mekanizmave ekzistues e bën këtë program të konsiderohet joserioz.
Sa i përket Lidhja Demokratike e Kosovës, Shala ka thënë se ajo e trajton drejtësinë më gjerësisht, duke përfshirë vetingun, integritetin e sistemit të drejtësisë, rikthimin e pavarësisë së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe digjitalizimin e shërbimeve.
Megjithatë, sipas tij, programi i saj nuk mbështetet në analiza të detajuara dhe nuk i referohet Strategjisë për Sundimin e Ligjit si dhe, disa propozime, si fuqizimi i kritereve për provimin e jurisprudencës dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve, mbeten të paqarta dhe pa argumentim të mjaftueshëm.
Ndërkaq, për programin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ai tha se në të theksohen strategjitë kundër korrupsionit dhe reformën e sistemit gjyqësor.
Mirëpo, sipas tij, as ky program nuk e përmendin fare Strategjinë për Sundimin e Ligjit.
Gjithashtu, për këtë program, Shala tha se propozon krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve, por se ky institucion paraqet një dublim të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe mund të krijojë mbikëqyrje të tepërt mbi sistemin gjyqësor.
Përderisa, theksoi se programi gjithashtu parashikon miratimin e një Strategjie Kombëtare për Krimet e Luftës dhe krijimin e një Gjykate të Punës, por pa argumentim të qartë për nevojën e një institucioni të tillë.
Shala foli edhe rreth programit të koalicionit AAK-Nisma, për të cilin tha se e vendos sundimin e ligjit si prioritet kryesor, por se nuk ofron propozime konkrete për zbatimin e tij.
“Plan-programet e partive politike për drejtësinë në zgjedhjet e 2025-ës paraqesin dallime të mëdha në qasjen dhe seriozitetin e tyre”, ka thënë ai.
Arbër Kadriu, hulumtues i lartë në INPO tha se nga analizimi i subjekteve politike del që nga 28 subjekte politike, vetëm 13 prej tyre kanë program politik për zgjedhjet e vitit 2025.
“VV ka prezantuar një program prej 63 faqes i ndarë në 25 kapituj. PDK ka një program prej 62 faqes që ndërtohet ne pesë shtylla kryesore. LDK ka prezantuar një program prej 248 faqesh dhe një listë prej 22 pikave kryesore. AAK ka një listë me programin prej 101 faqesh”, tha Kadriu.