Vikendet e Kurtit nëpër Evropë me fjalë të ëmbla për mërgimtarët

“Kur po takohen me fëmijët e juaj, të dashur bashkatdhetarë, edhe ata tonët atje po bëhen më të mirë e më të disiplinuar”.

Kryeministri Albin Kurti në Frankfurt të Gjermanisë brohoritjen dhe entuziazmin që mori nga shqiptarët atje gjatë një tubimi para zgjedhjeve ua ktheu me lëvdata ndaj tyre. Për këto deklarata krahasuese të shqiptarëve që jetojnë në vende të huaja me ata që jetojnë në Kosovë, Kurti s’pati ndonjë pendesë. Ai tha se kjo “është çështje faktike dhe jo e opinionit”.

Kryeministri Albin Kurti citoi Faik Konicën para bashkatdhetarëve në Frankfurt të Gjermanisë në një përpjekje për të treguar rolin që ata kanë për kombin.

Në këtë citat, Kurti pas takimeve që tha se ka mbajtur me studentët e ekspertët shqiptarë që jetojnë atje, bëri një krahasim me ata që jetojnë në Kosovë. Mbiemrat sipërorë Kurti i përdori për ata ‘të jashtit’.

“Të gjitha ndryshimet politike kanë pasur përherë dy faktorë: emigrantët dhe një elitë e vogël e lindur apo intelektuale brenda vendit’. Ky është kombinimi fitues për shtetin tonë, për kombin tonë. Por, përderisa atë kohë thuhej ‘elita intelektuale brenda vendit’ ne në fakt sot filluam takim me studentët shqiptarë këtu në Frankfurt vazhduam me ekspertët shqiptarë në Frankfurt dhe tash kemi tubim me shqiptarët në Frankfurt për t’u bindur se jo vetëm patriotët më të devotshëm, jo vetëm punëtorët më të mëdhenj, por sot edhe studentët më të shkëlqyeshëm edhe mësimdhënësit më të zotë i kemi pikërisht në diasporën tonë”.

Kurti atje tha se është pak konfuz se kush është brenda e kush jashtë.

“Prandaj, kur themi që ne atje jemi brenda e ju jeni jashtë nuk jemi tamam të sigurt për këtë meqenëse kur i ke patriotët më të mëdhenj, punëtorët më të devotshëm në diasporë dhe i ke mendjen më të ndritura jashtë, pra edhe zemra edhe muskujt edhe truri atëherë njëmend të lindë pyetja kush është jashtë e kush është brenda? Ndoshta ne atje brenda jena më jashtë se ju, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne që jemi atje”, ka thënë Kurti.

Kryeministri iu tha bashkatdhetarëve që kur fëmijët e tyre vijnë në Kosovë po i nxisin edhe ata ‘këtu’ për t’u bërë “më të disiplinuar”.

“Kur ata po vijnë në Ministri edhe për ata po bëhet më mirë se po krijojnë kontakte të mira jashtë farefisnisë, por në të njëjtën kohë po bëhet mirë edhe për administratën tonë. Kur po takohen me fëmijët e juaj, të dashur bashkatdhetarë, edhe ata tonët atje po bëhen më të mirë e më të disiplinuar”.

Për këto deklarata në Frankfurt, Kurti u pyet nga gazetarët në Prishtinë. Megjithatë, ai s’u tërhoq nga deklarimet e tij dhe iu rekomandoi gazetarëve që të shikojnë “më vëmendje” ato që tha ai sepse tha se është faktike që shqiptarët që jetojnë në sisteme më të zhvilluara të jenë edhe “më të zotë në kuptimin profesional”.

“Ajo çfarë kam thënë është se prej shqiptarëve më të devotshëm në kuptimin patriotik e më të zotë në kuptimin profesional unë i gjejë në diasporë. Ne kemi nevojë ta kthejmë trurin në Kosovë, sepse disa prej ekspertëve më të zot nuk i kemi në vendin tonë”, tha Kurti.

“Pra unë nuk kam thënë që ata janë në kundërshtim me vendin tonë, por janë një burim i pashfrytëzuar për vendin tonë dhe nuk janë remitencat të vetmet ato që e mbajtën shtetin e Kosovës, përkundrazi është shkathtësia, aftësia e profesionalizmi i të gjithë atyre”.

Kurti tha se ai e vlerëson “jashtëzakonisht shumë” kontributin e tyre për financimin e luftës çlirimtare dhe për ardhjen e tyre në UÇK.

“Shikoni më vëmendje çfarë kam thënë. Unë kam shprehur konsideratën time më të lartë për patriotizmin dhe për profesionalizmin dhe për zellin që kanë këta bashkatdhetarë tonë”.

Kurti tha se në ekonomitë më të fuqishme sot si në Zvicër, Gjermani e SHBA ka shumë shqiptarë.

“Këto janë ekonomi gjigante aty ka shumë shqiptarë, prandaj natyrisht që në ato sisteme politike dhe ekonomike shqiptarët aty janë të jashtëzakonshëm. Nuk mund të krahasohemi asnjëri prej neve me punën që bëjnë ata në Gjermani e Zvicër, se fundja shikoni ku janë Gjermania e Zvicra sot. Është çështje shumë faktike, jo e opinionit”.

Kategoritë
LajmeVendi