Virusi misterioz që po prek fëmijët në Evropë, mjekët thonë se në Kosovë s’ka raste

Rastet e fëmijëve që po preken nga një virus i cili po e shkakton hepatitin akut në mbarë botën janë rritur në qindra derisa janë regjistruar edhe vdekje. Për këtë virus, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se vjen nga një shkak i panjohur deri më tani. Derisa shumë vende të botës kanë raportuar raste të tillë,  deri më tani në Kosovë nuk është regjistruar ndonjë rast i tillë.

Valbona Dermaku, pediatre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për Gazetën Express se fëmijët që kërkojnë ndihmë në këtë qendër janë me viruse sezonale. Ajo tha se ende nuk kanë rastisur në ndonjë rast që mund t’i çojë në dyshime se ndonjë fëmijë është prekur nga hepatit akut.

“Më së shumti në kontakt të viruseve janë fëmijët që janë në kopshte. Terapia e tyre është simptomatike, varësisht prej gjendjes, ose bëhen referime në Klinikën e Fëmijëve në Pediatri. Për momentin te ne s’kemi pasë raste me hepatitin akut dhe nuk kemi hasur ende”.

Dermaku ka thënë se simptomat e këtij virusi janë plogështi, temperaturë, ethe, barkqitje, apo çrregullime tjera të barkqitjes.

“Ky është infeksion virusal që edhe terapia shkon simptomatike. Nëse janë rastet e lehta shkojnë me terapi shtëpiake, nëse janë raste që përkeqësohen atëherë i referojmë për klinikën e fëmijëve, atje shërohen dhe trajtohen. Mirëpo, për momentin s’kemi hasur këtu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”.

Ndërkaq, pediatrja Drita Demiri nga Spitali Amerikan ka folur për Express më gjerësisht për këtë lloj të virusit, e cila po ashtu tha se nuk kanë pasë ndonjë rast me hepatit akut.

“Ende s’po dihet se cili është ky virusi që po e shkakton hepatitin akut të moderuar dhe të goxha të rëndë në disa raste. Ende është duke u hulumtuar për llojet e tij, por mendohet se në disa raste që kanë përfunduar edhe me fatalitet, në 4-5 raste. Në krejt Europën, ka shkuar numri i të sëmurëve me këtë virus mbi 250. Po mendohet se ka një ndërlidhje në mes të një virusi “Enterovirus”, që janë viruse sezonalë të verës që gjithmonë kanë ekzistuar dhe një gërshëtim i virusit me këtë Enterovirusin”, ka deklaruar ajo.

Demiri thotë se ky virus i prek fëmijët që kanë imunitet më të zvogëluar dhe nëse kanë kaluar ndonjë sëmundje pak më herët.

“Hepatitin akut e shkaktojnë shumë viruse. Ata që njihen deri tash te fëmijët janë hepatiti A, hepatiti B, por që ky përcillet më pak, por megjithatë përcillet. Mund të ndodhë nëse nënat shtatzënë janë me hepatit B, ajo mund të përcillet edhe te fëmija. Ky është mjaft i rëndë, që mund të përfundojë me transplantim të mëlçisë. Janë edhe disa lloje të tjera më të rralla, por te fëmijët është hepatiti A”, ka shtuar tutje Demiri.

Si përhapen këto viruse te fëmijët?

“Hepatiti A përhapet përmes rrugës fekalo-orale, kur duart nuk janë të pastëra. Për shembull, kur fëmija prek nevojën dhe më pas prek ndonjë gjësend dhe fëmija tjetër shkon dhe e prek atë gjësendin dhe ato duar e prek gojën e prej gojës kalon në lukth dhe zorrë dhe shkon në mëlçi. Kjo është ajo rruga. Si preventivë duhet që në institucionet që ka shumë fëmijë duhet që higjiena dhe pastrimi të jenë në nivel të lartë. Fëmijëve duhet t’u pastrohen duart, sidomos kur shkojnë në tualet dhe kur dalin. Sa i përket këtij virusit tjetër që po e shkakton hepatitin akut, te ne ende s’ka asnjë rast. S’është konfirmuar ende asnjë rast në Kosovë. Për këtë virus nuk po dihet nëse po përcillet njëjtë sikur hepatit A. Por si preventivë duhet të jemi të kujdesshëm për higjienën e fëmijëve dhe vendi ku ata rrinë. Të paktën të evitojmë këtë përhapjen fekalo-orale”. /Gazeta Express/

OBSH ka publikuar një tabelë të shteteve që raportuan rastet e të sëmurëve me këtë virus:

Kategoritë
LajmeShëndetësi