Administrata e kopshtit zoologjik Schonbrunn në Vjenë njoftoi në Facebook se të gjithë bizonët në këtë kopsht zoologjik kanë ngordhur pasi janë infektuar me një virus…
“Fatkeqësisht, kemi lajme të trishta. Pavarësisht përpjekjeve intensive të ekipit tonë të veterinerëve, kujdestarëve dhe kuratorëve, pesë bizonë kanë ngordhur gjatë javëve të fundit. Na vjen shumë keq për humbjen e këtyre kafshëve madhështore,” njoftuan nga kopshti zoologjik.
Eksaminimet e para patologjike treguan për një sëmundje që është pasojë e infeksionit me virusin e herpesit të deleve, i cili nuk mund të transmetohet te njerëzit. Delet Ouessant të kopshtit zoologjik konsiderohen si bartëse të mundshme të këtij virusi.
Virusi i herpesit të deleve transmetohet përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur me kafshë të tjera. Për shembull, duke i mbajtur ato së bashku, duke i ushqyer apo duke i shoqëruar. Kafshët e infektuara mund të shfaqin simptoma si temperaturë, diarre me gjak dhe dridhje të muskujve. Është gjithashtu tipik një rrjedhje qelbore nga hunda dhe sytë. Vdekja zakonisht ndodh pas tre deri në nëntë ditësh.
Viçi i fundit i mbetur i bizonëve u eutanazua, dhe nga kopshti zoologjik shpjeguan se mbajtja e tij vetëm nuk do të ishte e justifikuar për arsye të mirëqenies së kafshës. Meqenëse kafsha ishte me shumë gjasa e infektuar, nuk mund të dërgohej në një fermë tjetër bizonësh dhe vendimi u mor pas konsultimeve me ekspertë të jashtëm.