Vizita e tre liderëve europianë në Kiev, Moska: Të mos flasin vetëm për armët

Vizita e tre liderëve europianë në Kiev nuk ka lënë indiferente Moskën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se shpreson që gjatë ndalesës në Ukrainë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë të mos fokusohen vetëm te furnizimet me armë për shtetin aleat.

“Kjo do të ishte absolutisht e padobishme dhe do t’i shkaktonte vuajtje dhe dëme të mëtejshme vendit”.

Zëdhënësi sugjeroi që Macron, Scholz dhe Draghi të shfrytëzonin kohën e tyre me presidentin Ukrainas Zelensky për ta inkurajuar atë të ketë një vështrim më realist ndaj situatës.

Sakaq, Dmitri Medvedev, ish-president dhe tani zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi kritikoi dhe ironizoi vizitën e liderëve europianë në Kiev.

Në një postim në Twitter, ai përdori një frazë raciste lidhur me stereotipat kulinare në tre shtetet. “Adhuruesit europianë të bretkosave, salsiçeve të mëlçisë dhe spaghetti dashurojnë të vizitojnë Kievin, pa asnjë dobi”, shprehet Medvedev.

Zyrtari i lartë i Moskës vijon më tej ironinë, se ata do t’i premtojnë Ukrainës anëtarësimin në BE, armatime të vjetra, e do të harlisen me vodka para se të kthehen në shtëpi me tren, si 100 vite më parë.

“Prapë, nuk do të jenë në gjendje të çojnë Ukrainën më afër paqes. Afati po skadon”, përfundon Medvedev postimin e tij.

Kategoritë
BotaLajme