Vjen barazimi i parë në Euro 2024, Danimarka e Sllovenia ndajnë pikët në “MHP Arena”

Në letër padyshim favoritë ishin “Vikingët” e Danimarkës, mirëpo në fushën e blertë është vërtetuar totalisht e kundërta, teksa gjithçka është mbyllur në barazimin, 1 me 1, në “MHP Arena”, mes “Të Kuqve” skandinavë dhe Sllovenisë, duke regjistruar kështu sfidën e parë të mbyllur në “paqe”, në këtë edicion të Kampionatit Evropian.

Nga një gol në secilën pjesë mjaftoi për secilën skuadër, ku fillimisht rrugën e rrjetës e gjeti “arkitekti” i mesfushës, Christian Eriksen, i cili u rikthye në këtë turne, pas plot 1100 ditësh, që prej arrestit kardiak, që pësoi në sfidën e parë të grupeve, në Euro 2020, kundër Finlandës, ndërsa për të barazuar gjithçka mendoi mbrojtësi Erik Janza, me “predhën” e tij nga jashtë zone në minutën e 77’-të.

Tashmë këto dy skuadra duhet të mendojnë për sfidat e radhës, me Slloveninë, që do të ndeshet me përfaqësuesen e Serbisë, në “Allianz Arena”, të Mynihut, ndërsa “Vikingët” do të përballen me favoritët absolut për fitimin e trofeut, “Tre Luanët” e Anglisë, në “Deutsche Bank Park”, të Frankfurtit.

Kategoritë
Sport