Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, të mërkurën ka shqyrtuar raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.
Sipas të njëjtit raport, gjatë vitit të kaluar në tërë Kosovën janë nënshkruar 9 892 kontrata, ndërsa gjatë viti 2020 janë nënshkruar mbi 10 mijë kontrata.
Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj, tha se në vitin 2020 vlera e kontratave ka qenë mbi 499 milionë euro kurse në vitin 2021 mbi 420 milionë euro, duke shtuar se ka një zvogëlim për afër 70 milionë euro.
“Përkundër faktit se kemi pasur pandeminë Covid-19 dhe luftën në Ukrainë, kemi punuar me shumë përkushtim dhe vëmendja jonë ka qenë në fokus të zhvillimit të legjislacionit të prokurimit publik. Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë evidentuar 160 autoritete kontraktuese dhe gjatë vitit 2021 në tërë Kosovën janë nënshkruar 9 892 kontrata, ndërsa gjatë viti 2020 janë nënshkruar mbi 10 mijë kontrata”.
“Ndërsa nëse e kthejmë në vlera monetare, në vitin 2019 vlera e kontratave kanë qenë 781 milionë euro, kurse në vitin 2020 kanë qenë mbi 499 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 mbi 420 milionë euro, pra kemi një zvogëlim për afër 70 milionë euro”, tha ai.
Zyrtarja e IT-së në KRPP, tha se krahas punës që e kanë sipas legjislacionit në fuqi, organizojnë edhe trajnime për zyrtarët publik.
Sipas saj, deri më tani kanë trajnuar 251 zyrtarë në aspektin e tenderimit dhe tema të tjera.
Në mungesë të kuorumit, raporti vjetor i KRPP-së, u shtyrë për mbledhjen e radhës.