Vlerësimet e para tregojnë se dëmet nga përmbytjet do t’i kushtojnë Evropës më shumë se një miliard euro

 Evropa Qendrore po përballet me përmbytjet më të mëdha në disa dekada, për të cilat besohet se do të shkaktojnë humbje ekonomike që do të maten në miliarda euro.

Humbjet ekonomike për shkak të përmbytjeve të fundit në Evropën Qendrore janë të konsiderueshme, shkruan Euronews.

Vlerësimet e para tregojnë se kostoja e shkaktuar nga përmbytjet mund të kalojë mbi një miliard euro në këtë moment, por kostot e sakta ende nuk janë llogaritur, pasi shiu i shkaktuar nga stuhia Boris vazhdon të bjerë.

Një vlerësim parashikon që fatura mund të shkojë nga disa qindra milionë euro deri në më shumë se një miliard euro, raporton Reuters.

Në Evropë, përmbytjet tashmë janë rreziku natyror më i kushtueshëm, tregon një studim i konsultuesit britanik për mjedisin, JBA Risk Management.

Vetëm përmbytjet e lumenjve kushtojnë 7.8 miliardë euro çdo vit.

Qeveritë e Polonisë, Rumanisë dhe Austrisë kanë liruar qindra milionë euro fonde urgjente, ndërsa qeveria çeke po shqyrton ndryshimin e buxhetit për vitin 2024 për shkak të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Disa nga fabrikat dhe dyqanet e prekura nga përmbytjet kanë mbyllur linjat e prodhimit, përfshirë fabrikën kimike BorsodChem në Ostrava të Republikës Çeke, prodhuesin çek të pijeve Kofola CeskoSlovensko dhe fabrikën e kokës OKK Koksovny.

Katarzyna Rzentarzewska, analiste ekonomike e Erste Group, tha për Euronews se pret që në afat të shkurtër sektori industrial të marrë një impuls negativ në të gjitha vendet e prekura nga përmbytjet, dhe turizmi në rajonet përkatëse mund të pësojë gjithashtu.

Kategoritë
BotaLajme