Vodhi pasagjerët në aeroport, arrestohet punonjësi

Një punonjës 41-vjeçar i cili punonte brenda aeroportit “El. Venizelos” në Athinë, është arrestuar së bashku me bashkëshorten e tij 39-vjeçare.

41-vjeçari kishte kryer një seri vjedhjesh të pasagjerëve në aeroport dhe këtë e dëshmojnë sendet që ju sekuestruan.

Ai u zbulua kur një pasagjere që udhëtonte nga Athina për në Tel Aviv, mori një nga dy çantat e saj dhe zbuloi se i kishin vjedhur kufjet me valë.

Duke i kërkuar përmes sistemit GPS, ka konstatuar se vendndodhja e tyre e fundit ka qenë në Peristeri. Policia ka shkuar aty dhe ka arrestuar 41-vjeçarin në shtëpinë e tij.

Sipas informacioneve, 41-vjeçari raportohet se ka vjedhur herë pas here pajisje elektronike nga bagazhet e pasagjerëve dhe madje ditën e Krishtlindjes i ka bërë dhuratë bashkëshortes së tij 39-vjeçare një celular të shtrenjtë pasi ishte i ri dhe i vulosur.

Sipas dëshmive që ka bërë në polici, ai ka kryer më shumë se 70 raste të vjedhjeve të sendeve nga bagazhet gjatë kohës që ka punuar në këtë pozitë.

Të arrestuarit për çështjen në ngarkim të tyre u dërguan në Prokurorinë e Athinës.

Kategoritë
BotaLajme