Von der Leyen: Gjithçka është në tryezë kur bëhet fjalë për armatosjen e BE-së, demokracia dhe sundimi i ligjit janë të rrezikuara

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi në një fjalim me rastin e 100 ditëve nga marrja e mandatit të saj të dytë se vlerat evropiane, si demokracia dhe sundimi i ligjit, janë të rrezikuara në një botë “transaksionale”.

Pa e përmendur Donald Trumpin me emër, shefja e ekzekutivit të BE-së u tha gazetarëve se në sferën gjeopolitike është shfaqur një ndjenjë e re urgjence dhe se “diçka themelore” ka ndryshuar që kur ajo filloi mandatin e saj të dytë më 1 dhjetor.

“Vlerat tona evropiane – demokracia, liria, sundimi i ligjit – janë të rrezikuara,” tha Von der Leyen në një konferencë për shtyp të dielën.

E pyetur disa herë, Von der Leyen tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i Bashkimit Evropian, edhe pse “kemi pikat tona të debatit”.

“Që nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian, mendoj se kjo është një thirrje shumë e fortë për t’u zgjuar,” shtoi ajo.

Liderët e BE-së javën e kaluar premtuan rritje dramatike të shpenzimeve ushtarake si pjesë e planit të Von der Leyen prej 800 miliardë eurosh, i cili do t’i mundësonte shteteve anëtare të marrin kredi dhe të rrisin borxhin kombëtar pa u ndëshkuar nga rregullat e rrepta fiskale të bllokut.

Megjithatë, shumë shtete anëtare do të donin të shkonin më tej, duke përdorur huamarrje të përbashkët për të financuar grante direkte në vend të kredive, në mënyrë që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

E pyetur të dielën për propozime të tilla, Von der Leyen tha:

“Asgjë nuk është jashtë tryezës. Jam e hapur për gjithçka që është e nevojshme.”

Një lëvizje e tillë do të kërkonte mbështetjen e Gjermanisë, e cila ka qenë kundër huamarrjes së përbashkët për mbrojtjen nën qeverinë e mëparshme koalicione të udhëhequr nga Olaf Scholz.

Megjithatë, kancelari i ri i qendrës së djathtë, Friedrich Merz, ka ngjallur shpresë për një ndryshim qëndrimi në Berlin, pasi arriti shpejt një marrëveshje me partnerët e tij të koalicionit nga socialdemokratët për të ndryshuar kushtetutën gjermane, duke hapur rrugën për një plan shpenzimesh për mbrojtjen dhe infrastrukturën.

Von der Leyen tha se plani i saj prej 800 miliardë eurosh mund të jetë “themelet e një unioni evropian të mbrojtjes” dhe theksoi mundësinë e “bashkëpunimit me vende të tjera me të njëjtin mendim, si Britania e Madhe, Norvegjia apo Kanadaja”.

Ajo theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj daljes graduale nga varësia e gazit rus, pavarësisht dy shtyrjeve të planit për ta arritur këtë qëllim.

“Unë angazhohem qartë për t’u shkëputur gradualisht nga gazi rus. Kjo është absolutisht e domosdoshme,” deklaroi ajo.

Kategoritë
BotaLajme