Von der Leyen: Gjuha maqedonase është gjuha e juaj, ne tërësisht e respektojmë atë

“I dëgjova shqetësimet për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Do ta përsëris këtë, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Ne tërësisht e respektojmë këtë”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në adresimin e saj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke folur për propozimin e reviduar francez tha se ka dëgjuar shqetësimin tek një pjesë e subjekteve politike dhe të opinionit lidhur me gjuhën maqedonase dhe porositi se Bashkimi Evropian (BE) tërësisht respekton gjuhën dhe për këtë shkak në propozimin e reviduar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikime nga BE-ja, raporton Anadolu Agency (AA).

Ajo theksoi se “Së bashku ndoqëm ëndrrën për një BE dhe së bashku do ta shndërrojmë ëndrrën në realitet. Doemos ta kthejmë shikimin përpara, të fillojmë negociatat aderuese dhe ta drejtojmë rrugën që shpie në BE”.

“Atë mund ta bëjmë që javën e ardhshme me pranimin e propozimit të reviduar francez. Ju jeni të bindur se KE-ja çdo herë ka qenë në anën e këtij shteti dhe do të vazhdojë të jetë në anën tuaj çdo herë. Jemi të bindur se ky është një vendim historik. Por, vendimi është i juaji dhe vetëm i juaji. Në fund bëhet fjalë për rrugën tuaj. Nëse vendosni ta pranoni propozimin e reviduar francez, do të organizohet konferenca politike ndërqeveritare ndërsa Komisioni Evropian menjëherë do të fillojë me skriningun e së drejtës evropiane, që është hapi i parë në negociatat për anëtarësim. Atëherë do të vendosim ekip negociator në kryeqytetin tuaj”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.

“Sikur në çdo demokraci e dëgjojmë tjetrin, i dëgjojmë argumentet e tjetrit. Ju më dëgjoni mua, e unë ju. I dëgjova shqetësimet për gjuhën dhe identitetin. Nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Do ta përsëris këtë, nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj. Ne tërësisht e respektojmë këtë. Andaj në propozimin e reviduar qëndron qartë gjuha maqedonase pa kualifikime nga BE”, tha Von der Leyen duke shtuar:

“Propozimi e respekton po ashtu edhe identitetin tuaj kombëtar. Mund të llogarisni tek unë se procesi për negociata do t’i respektojë parimet dhe standardet evropiane. Keni shoqëri të suksesshme multietnike. Treguat interes për sundimin e ligjit, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, këto janë vlera evropiane. Ndryshimi i kushtetutës për forcimin e të drejtave themelore do ta përforcojë përkushtimin tuaj për këto vlera dhe kjo automatikisht do ta përfundojë fazën fillestare të negociatave”.

Ajo potencoi se historia nuk është kusht në negociatat aderuese me BE-në.

“Ju inkurajoj ta shfrytëzoni këtë mundësi, me mbylljen e kësaj dere Maqedonia e Veriut dënohet me qëndrimin jashtë procesit negociues. Kjo është ajo që e dëshiron gjenerata e re. Ata e duan shtetin e tyre dhe këtu dëshirojnë ta ndërtojnë armërinë e tyre. T’ua hapim derën e ardhshme të rëndësishme për ta. Sa prej jush keni fëmijë? Disa keni edhe nipa. Të gjithë bashkërisht dëshirojmë të shikojmë pas dhe të themi se të gjithë fëmijët dhe nipat tanë janë pjesë e familjes evropiane”, tha presidentja e KE-së.

“Po jetojmë në kohëra shumë të vështira. Pandemia po hyn në vitin e tretë. Invadimi rus në Ukrainë shkaktoi një krizë katastrofale të ushqimit. Do t’i zgjidhim bashkë problemet, nëse jemi demokratë, nëse jemi një Union. Qëndroni fuqishëm me BE-në, ju jeni një partner i vërtetë i besuar. Tani ju takon juve të bëni hapin vendimtar. Do të përfundoj me një citat të ish-presidentit të ndjerë Boris Trajkovski. Çdo ditë mendoj për dy gjëra, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar të bësh. Vizioni im është paqja, vizioni im është prosperiteti. Evropa nuk është e plotë pa Maqedoninë e Veriut”, theksoi Von der Leyen.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së morën pjesë në seancë, të veshur me bluza që i thanë “JO” propozimit francez.

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot nuk do të votojnë “pro” apo “kundër” propozimit francez, gjegjësisht kornizës negociuese të propozuar nga presidenca franceze me BE-në, por për konkluzionet me të cilat Qeverisë i jepet drejtim dhe e obligon se çfarë mund dhe nuk mund të negociojë në procesin e integrimit në BE.

Në bazë të konkluzioneve që do t’i sjellë Kuvendi dhe të cilat i shpalli koalicioni qeverisës në formë të propozimit, Qeveria në asnjë rast nuk duhet të hyjë në negociata me BE-në nëse ato prekin gjuhën maqedonase, si dhe identitetin, historinë dhe kulturën e popullit maqedonas.

Sikur edhe ditët e kaluara vazhdojnë protestat që kërkojnë refuzimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kategoritë
LajmeRajoni