Ambiciet e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se në fund të vitit 2024 do të kryheshin pagesat e para nga Paketa e Rritjes dhe Reformave e BE-së, nuk u realizuan.
Për më tepër, ato nuk u bënë as në fillim të vitit 2025 dhe nuk është e qartë se kur do të mund të bëhen.
Vonesat në pagesa, sipas disa burimeve diplomatike në BE, kanë të bëjnë më shumë me vonesat e vendeve përfituese – pra atyre të Ballkanit Perëndimor – në përmbylljen e procedurave të brendshme.
“Duket se kësaj radhe BE-ja është më e gatshme t’i bëjë pagesat nga kjo paketë sesa që vendet e rajonit janë të gatshme t’i marrin ato”, tha për Radion Evropa e Lirë një burim i BE-së.
Nga Komisioni Evropian nuk u përgjigjën saktësisht se në cilën fazë janë vendet e rajonit, sa u përket pagesave që presin t’i marrin.
Zyrtarët vetëm rikujtuan se të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnje e Hercegovinës, i kanë agjendat e reformave të miratuara nga BE-ja dhe se me këtë i kanë përmbushur kriteret për pagesat paraprake në vlerë prej 7% të totalit nga ana e BE-së.
“Komisioni, momentalisht, është duke finalizuar hapat në procedurë, që do të mundësojnë pagesën e parafinancimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet të bëhen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”, thanë nga Komisioni Evropian.
Duket se problemi me disa vende të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, është se me BE-në duhet të arrijnë marrëveshje për kredi, pasi një pjesë e mjeteve financiare janë në formë të kredive dhe një pjesë grante pa kthim.
Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.
Për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, që u zhvilluan më 9 shkurt, procedura e konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pritet të marrë kohë, kështu që gjasat janë të vogla që ajo të marrë ndonjë pagesë nga BE-ja para verës.
Paketa e përgjithshme për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.