Vonohet pozita, opozita e lëshon mbledhjen – s’diskutohen propozimet për guvernator të BQK-së

Për shkak të vonesave të deputetëve të mazhorancës, deputetët e opozitës e kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku në rend dite ishte propozimi për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm ishin deputetët e PDK-së, Ferat Shala e Mërgim Lushtaku, ai i LDK-së Avdullah Hoti dhe Enver Haliti i VV-së.

Nënkryetari i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku, tha se është e paarsyeshme vonesa e pozitës.

“Kryetari vetëm hyri dhe doli, po shihet që kanë mosmarrëveshje në këtë drejtim. Derisa ka seancë nuk ka arsyeje që me mbajt mbledhje të komisionit. Por po shihet qartë që kanë kaluar mbi 20 minuta dhe nuk kemi kuorum për të vazhduar E lëshojmë këtë mbledhje për shkak të papërgjegjësisë edhe të kryetarit edhe të anëtarëve tjerë dhe vazhdojmë tek seanca”, tha Lushtaku.

Gjithashtu Komisioni do të duhej të shqyrtonte Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (“KFW”) për Projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit; si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

 

Rendi  i  ditës:

1.    Miratimi  i rendit të ditës;
2.    Miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mbajtura të Komisionit më datë: 13 dhe 27 shkurt, si dhe me 13 dhe 14 mars 2023;
3.    Miratimi i planit të performacës të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2023;
4.    Shqyrtimi i Propozimeve për Guvernator të Bankës Qendrore;
5.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (“KFW”) për Projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit;
6.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës;
7.    Të ndryshme.

Kategoritë
LajmeVendi