Fehmije Gashi, avokate e njërit nga të arrestuarit Diamant Gashi për vrasjen e policit Muhamed Lika, tha se kjo ngjarje nuk ka lidhje me ekstremizëm fetar, duke iu referuar edhe kërkesës së prokurorisë për paraburgim, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka treguar se klienti i saj dyshohet se e ka strehuar njërin nga të dyshuarit për vrasje, në shtëpinë e tij, por që ka thënë se ai fare nuk e ka ditur se i strehuari është i dyshuar për vrasje. Ajo shtoi se babai i të dyshuarit ka thënë se nëse del se djali i tij është përfshirë në rast, nuk do t’i angazhoj fare avokat.
“Ajo çka mund të them për juve dhe opinionin në këtë fazë dhe gjatë gjykimit unë kërkova prokurori i çështjes që së bashku me kryeprokurorin e Ferizajt, Burim Çerkini, të dalin edhe një herë të japin sqarime që kjo vrasje askund nuk është përmend në kërkesën e paraburgimit se ka lidhshmëri ideologjike, fetare, islamiste, siç po e përdorin mediat e informimit për arsye se është edhe një rrethanë tjerët, është edhe me Kodin Penal të Kosovës, edhe me konventa ndërkombëtare dhe me Kushtetutë të Kosovë, ju e dini ekziston rregulla e prezumimit të pafajësisë derisa aktgjykimi ta marrë formën e prerë mandej në këtë rast në njëfarë mënyrë po etiketohet familja e tyre”.
“Edhe nga kërkesa që ju e keni në duar mund ta shihni se aty nuk përmendët askund se kishte ekstremizëm fetar apo vepra në lidhje me këtë. Aty përshkruhen, ora, minuta e detaje të tjera që prokuroria dyshon se të dyshuarit kanë bërë, por ju lus t’ia sqaroni edhe publikut se askund nuk thuhet se kjo ngjarje lidhet me ekstremizëm fetar”, tha avokatja Gashi.