Vrasja me pagesë në Deçan, ky është arsyetimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit në rigjykim

Akuza e Prokurorisë së Pejës, e cila pretendon se i ndjeri Ferdinand Gjini u privua nga jeta për shkak të hakmarrjes, ende nuk ka marrë epilog meritor pranë gjykatave të rregullta që nga viti 2018.

Kjo pasi për të dytën herë me radhë rasti penal ndaj të pandehurve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët ngarkohen për këtë vrasje,  është duke u prishur nga gjykatat e instancës më të lartë, të cilat janë duke konstatuar shkelje procedurale, raporton Betimi për Drejtësi.

Fillimisht Gjykata Supreme, kurse tani së fundi edhe Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin  Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit më maj të këtij viti kishte gjetur fajtor të pandehurit për vrasjen e të ndjerit Gjini.

Ky vendim është anuluar nga kolegji i Gjykatës së Apelit,  kryesuar nga Vaton Durguti me anëtarët Hashim Çollaku dhe Abdullah Ahmeti, të cilët pas mbajtjes së seancës së kolegjit me 31 gusht 2022, kanë konstatuar se vendimi i Gjykatës së Pejës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sa i përket gjetjeve të Gjykatës së Pejës për fajësinë e të pandehurit Raja për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, Apeli ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte sqaruar në dispozitiv të gjitha rrethanat të cilat përbejnë figurën e veprës penale të shtytjes në vrasje të rëndë.

“Shkeljet esenciale në këtë pikë të aktgjykimit përkatësisht në dispozitiv të aktgjykimit konsistojnë në atë se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të sqarojë të gjitha dilemat lidhur me institutin e shtytjes në kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarit. Që të gjitha shkeljet të cilat i vlerëson gjykata e shkallës së parë gjatë procedimit, dhe është ardhur në përfundim se të njëjtat njëjtat drejtpërdrejtë ndërlidhen me vërtetimin e fakteve të cilat e karakterizojnë veprën penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e kolegjit të Apelit.

Një shkelje tjetër mirëpo të karakterit joabsolut(relativ) Apeli e konsideron edhe shkeljen e nenit 237 par.6 të Kodit të Procedurës Penale e cila përcakton se urdhri i gjykatës për shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues nuk e ndalon që ndaj këtij të fundittë filloj hetimi për vepra penale që dënohen të paktën 10 vite burgim, pasi në këtë rast ndaj dëshmitarit bashkëpunues nuk është filluar ndjekja penale.

Sa i përket të pandehurit Avni Sinanaj, Apeli ka gjetur shkelje në rastin e cilësimit juridik. I pandehuri ngarkohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje. Këtë cilësim Apeli e ka arsyetuar se instituti i ndihmës dhe bashkëkryerjes janë dy institute të ndara dhe të njëjtat nuk mund të shkojnë së bashkë në cilësim juridik.

“Gjykata e shkallës së parë është dashur që të ketë parasysh se këto dy institute edhe ndihma edhe bashkëkryerja nuk mund të shkojnë bashkë, dhe se të gjitha këto sugjerime kanë qenë të paraqitura edhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas të cili aktgjykim është anuluar aktgjykimi i Gjykatës së Apelit si dhe Gjykatës Themelore”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli, poashtu, ka gjetur se CD-të  që janë pjesë e lëndës penale asnjëherë nuk ishin dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Tutje, Apeli ka konstatuar se me vendimin e Gjykatës së Pejës nuk ishte definuar roli i dëshmitarit bashkëpunues.

“Nuk është definuar roli i dëshmitarit bashkëpunues “D1” me qëllim që të sqaroj kryesin e veprës penale, ndihmës, shtytësin, bashkëpunuesi, të cilat janë çështje shumë të rëndësishme  sepse dispozita ligjore nga neni 237 I KPPK, lidhur me nenin 123 par.5 shprehimisht janë të përcaktuara veprimet që duhet të ndërmerr organi i cili zhvillon procedurën, për të përcaktuar rolin e secilit kryes të veprës penale, e cila është e paraparë me nenin 262”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Si përfundim, Gjykata e Apelit thekson se pasi kishin vlerësuar në mënyre të përgjithësuar të gjitha provat e lëndës, kishin ardhur në përfundim se në këtë lëndë penale Gjykata e Pejës nuk kishte vepruar sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar në mënyrë të përgjithësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nga ana e gjykatës së shkallës së parë nuk është vepruar në mënyrë të duhur sikurse është kërkuar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, për të qartësuar ekzistimin e veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa pasi kemi tre të akuzuar,  për të qartësuar secilin veprim që e kanë ndërmarrë secili i akuzuar për të vërtetuar institutin e bashkëkryerjes, ndihmës, shtytjes si forma të bashkëpunimit në kryerjen e veprës penale, sepse të njëjtat duhet vërtetuar në mënyrë të qartë, për të vërtetuar fajësinë e secilit të akuzuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli ka kërkuar nga Gjykata e Pejës që ti vlerësoj një nga një të gjitha provat materiale dhe personale, duke filluar nga CD-ja, me qëllim që të gjejë përgjigjet se çfarë ka ndodhur në ditën kritike dhe kush  ishin kryesit.

“Për të vërtetuar se në ditën kritike në maj të vitit 2012 a ka ndodhur vepra penale apo nuk ka ndodh, në çfarë rrethana ka ndodh, kush kanë qenë kryesit e veprës penale, të cilat vërtetohen në bazë të dëshmitarëve përkatësisht provave personale dhe materiale. Gjithashtu gjykata e shkallës së parë duhet të ketë parasysh që pasi që të tre të akuzuarve iu është vazhduar paraburgimi, nuk duhet të qëndron fjalia “që të akuzuarit do ti vuajnë dënimet pas plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, më 31 gusht 2022, Gjykatën e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbrojtjes, në rastin e të dënuarve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

Gjykata Themelore në Pejë, më 20 maj 2022, Bekim Rajën e ka dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanajn me 8 vite 6 muaj burgim, Murat Sinanajn me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishin me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe, më 15 prill 2021, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhsaj ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vepra penale e bashkimit kriminal, në forma të tjera të bashkëpunimit.

Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore e Pejës për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të dënuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër.

Kategoritë
LajmeVendi