Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, dëshmitari Fadil Musliu- babai i të akuzuarit Atdhe Musliu, deklaroi se djalin e tij ia ka marrë në qafë shoku i tij- i akuzuari Labinot Bajrami. Këtë gjë, ai tha se ia kishte thënë edhe vetë i akuzuari Atdhe kur kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte trguar për rastin.
“Po, ashtu është. Një shok i tij- Labinoti e ka marrë në qafë, pasi që nuk kemi pas asnjë kontakt me të, as nuk na ka njohur, as nuk e kemi njohur (të ndjerin A.H)”, tha dëshmitari Fadil Musliu.
Musliu e bëri këtë deklarim pasi u pyet nga prokurori Armend Hamiti lidhur me deklaratën e tij të dhënë në Polici, në të cilën ai kishte thënë se djali i tij ia kishte pohuar një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzohen se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas dëshmitarit, djali i tij- Atdheu, në ditën kritike kishte shkuar tek motra e tij në Fushë-Kosovë dhe kur ishte kthyer në mbrëmje i kishte thënë se kishte therur një person. Ai tha se nuk ka njohuri lidhur me motivin e vrasjes dhe se këtë gjë e di më mirë “ai që e ka nisur”.
“Edhe unë jam interesuar ta di arsyen pasi që as nuk i kam pas borxh dhe as nuk më ka pas borxh. Këtë e di më së miri ai që e ka nisë”, shtoi tutje dëshmitari.
Babai i të akuzuarit Atdhe Musliu thotë se personi që e ka nisur këtë problem është i akuzuari Labinot Bajrami.
“Labionti, tjetërkush nuk ka pas kush”, tha ai.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe vëllai i të ndjerit A.H., Riza Hamiti, i cili tha se nuk ka pasur njohuri se vëllai i tij kishte pasur probleme me dikë.
I pyetur nëse ndokush ka dërguar njerëz të pajtohen me familjen e tyre, dëshmitari Hamiti e pohoi një gjë të tillë, por tha se nuk janë pajtuar dhe që rasti ende qëndron pezull.
“Po, për të ndjerë keqardhje. Kjo ka ndodh pas vrasjes. Unë kam qenë i tronditur dhe nuk e di saktë se cila familje ka qenë…, por nuk jemi pajtuar pasi që ata nuk kanë dërguar më njerëz dhe kjo çështje ka mbetur pezull deri në vendosjen e drejtësisë”, tha Hamiti.
Vëllai i viktimës tha se deri më sot nuk ka mësuar asnjë informacion lidhur me rastin.
Më pas, u dëgjua edhe vajza e axhës së të ndjerit- Suzana Berisha-Hamiti, e cila tha se lajmin që tani i ndjeri A.H., gjendej në Emergjencë, e kishte marrë nga motra e saj. Kjo e fundit, sipas saj, ishte njoftuar nga një shoqe e saj që punon si infermiere në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Kur e ka pa rastin çka ka ndodh, e ka thirrë motrën shpejt dhe i ka thënë se është në gjendje shumë të rëndë. Pastaj ajo më ka thirrë mua, se ajo e ka pas të pamundur me shku. Më ka thënë shko se A., qenka shumë rëndë. Unë mbërrita në Emergjencë dhe e takova infermieren, e lypa me pa A., dhe aty mora vesh që veç ka ndërru jetë”, tha dëshmitarja.
Pasi kishte ndodhur rasti, ajo tha se kishin dëgjuar disa thashetheme lidhur me rastin në fjalë, se kinse tani të ndjerin kishin tentuar ta plaçkisin.
“Unë kam dëgju diçka, por këto janë vetëm hamendësime. Në Zonën Industriale më ka rastis që të dëgjohem edhe me kolegë që punojnë në atë pjesë të Postës në Fushë-Kosovë. Dhe atje ka qarkullu lajmi se gjoja kanë dashur ta plaçkitin. Tjerat janë ato që i kemi dëgju në seanca. Edhe ne jemi të interesuar me ditë se pse ka ndodh”, shtoi Berisha-Hamiti.
Në seancën e së martës u dëgjua edhe dëshmitari Jeton Morina, i cili është pronari i veturës, të cilën i akuzuari Labinot e kishte pasur në posedim ditën e ngjarjes kritike, e të cilën ai e kishte marrë me qira.
Morina tha se i akuzuari Labinot kishte shkuar me dy gra për ta marrë veturën, e që vetura sipas tij ishte marrë në emër të gruas të cilën e kishte prezantuar si bashkëshorten e tij.
I pyetur se si kishte përfunduar patentë shoferi me emrin Avni Thaqi në atë veturë, dëshmitari tha se i akuzuari Bajrami atë patentë ia kishte dërguar, duke i thënë se është daja i tij.
“Në bazë të Viber-it, më ka dërguar këtë patentë shofer. Ma ka dërgu Labinot Bajrami dhe më ka thënë, nëse nuk gaboj se e ka dajë”, tha dëshmitari Morina.
Ndërsa, dëshmitari Fehmi Topalli, u pyet nga prokurori Hamiti se a është e vërtetë që në deklaratën e dhënë në Polici ka thënë se kishte dëgjuar se ka hyrë një hajn një në banesë. Topalli tha se këtë gjë ia kishte dhënë një banor, por nuk e di se kush është.
Topalli tha se sa ishte duke punuar si sigurim rreth atij objekti, në natën kritike ka parë një veturë e cila ka qenë e dyshimtë.
“Vetura ka qenë me drita të gjata. Nuk më kujtohet modeli, por kam dëgju një ushtimë (zhurmë) dhe që ka qenë afër një shitores, në ara dhe më pas ka vazhdu në drejtim të asaj banesës në të cilën ka thënë se është hi një hajn. Mbaj mend që vetura është nisur si për ngutë, nuk ka qenë nisje normale”, tha dëshmitari.
Ndryshe, në fillim të seancës, meqenëse gjykimi ka filluar rishtas pasi është bashkuar procedura për dy të akuzuarit, ata u deklaruan rreth fajësisë,
I akuzuari Musliu pranoi fajësinë për veprën penale “Vrasje”, por ky pranim fajësie iu refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për pranim fajësie dhe për shkak të sugjerimeve të dhënë nga Gjykata Supreme.
“Refuzohet pranimi i fajësisë për veprën penale të vrasjes, pasi që duke u bazuar edhe në sugjerimet e Gjykatës Supreme në raport me bashkëkryerjen, po ashtu edhe përshkrimet e veprimeve të kryerësve të paraqitura në dispozitiv të aktakuzës, nuk plotësohen kushtet për pranim të fajësisë”, tha kryetari i trupit gjykues, Gent Beka.
Musliu e pranoi fajësinë edhe për armëmbajtje pa leje, por edhe për këtë vepër penale iu refuzua pranimi i fajësie, pasi sipas udhëzimit të Gjykatës Supreme duhet të vlerësohet cilësia e mjetit me të cilën është kryer vrasja.
“Po ashtu, refuzohet pranimi i fajësisë për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që nuk përmbushen kushtet nga neni 242, par.2, pika 2.3 të KPRK, si dhe udhëzimeve të Gjykatës Supreme që gjatë shqyrtimit gjyqësor të konstatohet se kjo thikë a e ka cilësinë e armës së ftoftë në kuptim të dispozitave të aplikueshme. Andaj, vlerësohet se është e nevojshme që të zhvillohet shqyrtimi gjyqësor edhe në drejtim të kësaj vepre për të eliminuar të gjitha vërejtjet e përcaktuara nga Gjykata Supreme”, tha gjykatësi.
Po ashtu, i akuzuari Musliu tha se ndjen keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur dhe se e gjithë kjo ka ndodhur pa dashje.
“Ndjej keqardhje për çfarë ka ndodh. Kërkoj falje, pa dashje ka ndodhur kjo. Unë nuk kam pasur probleme me të ndjerin. Unë kam hy në mes për t’i ndarë, nuk kam pasur asgjë më të”, tha Musliu.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër Bajrami u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Për shkak të bashkimi të procedurës për të akuzuarit, pasi që për ta paraprakisht zhvillohej procesi i ndarë, pasi gjykimi filloi rishtas, palët dhanë fjalët hyrëse.
Në fjalën hyrëse, prokurori Armend Hamiti tha se qëndron pas fjalës hyrëse që ka dhënë lidhur me të akuzuarin Bajrami në seancën e kaluar dhe se e njëjta qëndron edhe për të akuzuarin Musliu. Kjo pasi për këtë të fundit nuk ishte dhënë fjala hyrëse, ngase e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar.
“E njëjta fjalë hyrëse që është bërë për Labinotin, vlen edhe për Atdheun në rastin kur është bërë bashkimi i procedurës”, tha prokurori.
Përfaqësuesi i palës së dëmtar, avokati Bujar Ejupi mbështeti fjalën hyrëse të prokurorit Hamiti për të akuzuarin Musliu, duke thënë se pas administrimit të provave do të kuptohet motivi i vrasjes. Po ashtu, tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë për të akuzuarin Bajrami.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Taulant Broqi, tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, do të kuptohet se Musliu këtë vepër nuk e ka kryer me dashje, dhe se nëse i akuzuari Labinot nuk do ta telefononte, kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur.
“Ai ka qenë duke shku në shtëpi, dhe nëse nuk do ta kishte thirrë Labionti, kjo ngjarje nuk do të ndodhte fare”, tha Broqi.
Kurse, mbrojtësja e Bajramit, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, tha se kjo vrasje mund të jetë kryer edhe për shkak të tronditjes së fortë mendore.
“Kjo vepër mund të jetë vrasje e kryer për shkak të tronditjes së fortë mendore nga neni 174 të KPRK-së, për arsye se në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes së atëçasshme”, tha Gashi-Bytyqi.
Ajo tha se klienti i saj nuk ka mohuar t’i ketë shkaktuar lëndime të lehta trupore tani të ndjerit.
Gashi-Bytyqi propozoi të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit eksperti mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu, i cili ka kryer edhe ekspertizën. Sipas saj, përmes tij do të definohet edhe përgjegjësia e të pandehurve.
Për shkak se gjatë kësaj seance nuk prezantuan dëshmitarët: Shqipe Kyreziu, Kaltrina Musliu, Avni Thaqi, Hajrie Bajrami, Suzana Hamiti dhe Bekim Topalli, seanca u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.
Ndryshe, më 5 shtator 2023 i akuzuari Musliu e kishte pranuar fajësinë, kurse i akuzuari Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm. Andaj, ndaj të akuzuarit Musliu ishte veçuar procedura, i cili ishte dënuar me 22 vite burgim, më 2 tetor 2023. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të 6 shkurtit 2024.
Ndërsa, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit të 27 majit 2024 e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit për të akuzuarin Atdhe Musliu, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Në seancën e 20 qershorit 2024, ishte propozuar të bëhet bashkimi i procedurës penale ndaj dy të akuzuarve.
Andaj, më pas, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka kishte njoftuar se në këtë çështje penale është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të pandehurit Atdhe Musliu, për të cilin ka qenë duke u vazhduar procedurë e veçantë. Kështu, ndaj dy të pandehurve Labinot Bajrami dhe Atdhe Musliu procedura vazhdon si një.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Musliu me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, është gjetur se pa autorizim e në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi armën – thikën, ku me vërtetimin mbi konfiskimin e përkohshëm të gjësendeve i është konfiskuar.
Me këtë, Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.