Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se shpreson që gjyqtarët në Sarajevë do të japin një vendim lirues për presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, pasi “çdo vendim tjetër çon në pasiguri”.
Ai shprehu frikën se “të gjithë jemi në telashe” nëse ndodh ndryshe dhe shpreson që “në Sarajevë të ketë mjaftueshëm arsye”.
“Çdo gjë tjetër na çon drejt pasigurisë dhe, shpresoj, jo drejt diçkaje që nuk mund ta parandalojmë me veprime të mençura. Nuk e kuptoj aspak pse gjithë kjo përndjekje për një delikt verbal apo për mendime të ndryshme politike. Kjo, në shekullin XXI, nuk është as e përshtatshme dhe as normale”, theksoi Vuçiç.
Ai e konsideroi si një aventurë politike të vërtetë dhe papërgjegjësi përndjekjen ligjore kundër Dodikut dhe mendon se kjo është shumë e keqe.
Vuçiç shpreson se do të ketë mjaft arsye në Sarajevë, pasi përndjekja ligjore ndaj Milorad Dodikut dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare, Miloš Lukiç, është “absolutisht e pakuptimtë”.
Ai tha se ky problem ekziston jo vetëm për të përndjekur Dodikun dhe Lukiçin “për arsye krejtësisht të panjohura”, por edhe për të dërguar një sinjal të qartë Republikës Srpska.