Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Serbia mbështet të gjitha përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Evropë dhe në botë, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Presidenti Donald Trump po tregon lidership të vërtetë me angazhimin e tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Diplomacia, dhe jo gjakderdhja e pafundme, duhet të mbizotërojë,” shkroi Vuçiç në rrjetin social X.
Ai shtoi se “Serbia mbështet të gjitha përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Evropë dhe në botë.”
“Tani është koha për veprime të guximshme,” përfundoi Vuçiç.
Takimi i parë mes delegacioneve ruse dhe amerikane nën presidencën e Trumpit
Takimi i parë mes delegacioneve ruse dhe amerikane që nga marrja e detyrës nga Trump u zhvillua më 18 shkurt në Riad, Arabinë Saudite. Diskutimet u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshe dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Paralelisht, po bëhen përgatitjet për një takim mes Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.
Vuçiç u mburr me letrën e Trumpit
Në fillim të muajit, Vuçiç u mburr me një letër të marrë nga Trumpi, në të cilën Presidenti amerikan e falënderonte Serbinë për angazhimin e saj për paqen globale, veçanërisht “për mbështetjen e popullit të Ukrainës në mbrojtjen ndaj agresionit rus.”
Gjithashtu, dje Vuçiç njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin shtyrë sanksionet ndaj Serbisë me 30 ditë.