Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se po përballen me sanksione të rënda dhe serioze, pasi Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
“Pak ditë para ndërrimit të pushtetit, shteti më i fuqishëm në botë vendosi sanksione ndaj NIS-it. Serbia nuk është objektivi i amerikanëve, as vetëm NIS-i, por kemi të bëjmë me një goditje gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë. Kjo ndikon jo vetëm në prodhimin e naftës, por edhe në të gjitha kompanitë e lidhura, përfshirë NIS-in,” tha Vuçiç.
Presidenti theksoi se bëhet fjalë për sanksione shumë serioze, të cilat bazohen në dy akte ligjore.
“Bazat ligjore vijnë nga vitet 2014 dhe 2021 – njëra nga administrata e Barack Obamës dhe tjetra nga administrata e Joe Bidenit. Pse amerikanët përgatitën një kombinim të tillë bazash të ndryshme ligjore? Ata e bënë këtë për ta bërë të pamundur shmangien e sanksioneve,” shpjegoi Vuçiç.
Sipas tij, bëhet fjalë për “sanksionet më të rënda që prekin një kompani në Serbi.”
“Na kërkohet të heqim plotësisht interesat ruse nga NIS-i. Serbia nuk është një vend armiqësor ndaj Federatës Ruse dhe ne nuk duam asnjë marrje armiqësore të pronës së tjetrit. Do të reagojmë seriozisht, me përgjegjësi dhe kujdes, dhe nuk do të nxitojmë në marrjen e vendimeve të gabuara. Do t’i kërkojmë administratës së ardhshme të shqyrtojë edhe një herë këtë vendim. Ajo që është e rëndësishme për njerëzit në Serbi të dinë është se ne i vlerësojmë si Moskën, ashtu edhe Uashingtonin, por Serbia është më e rëndësishmja dhe më e dashura për ne. Do të mbrojmë interesat e Serbisë dhe nuk do të ketë mungesa,” shtoi ai.
Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara njoftoi sot sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) si pjesë e një pakete të fundit të drejtuar ndaj kompanive nën pronësi ruse.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Thesarit amerikan, sanksionet janë vendosur ndaj shumë kompanive nga Rusia dhe jashtë kufijve të saj. Ndër to përfshihet edhe NIS-i, i cili që nga viti 2008 është nën pronësinë shumicë të korporatës energjetike ruse Gazprom.
Siç thuhet, arsyeja për këto sanksione janë lidhjet e biznesit me kompaninë Gazprom. Në listë, përveç NIS-it, janë edhe degë të tjera të Gazpromit të vendosura në Kazakistan, Kirgistan, Luksemburg dhe Taxhikistan.
Të gjitha pronat dhe pasuritë e këtyre kompanive që janë nën juridiksionin e SHBA-ve tani janë ngrirë. Përveç kësaj, sanksionet përfshijnë edhe masa shtesë, ndonëse detajet e tyre nuk janë dhënë në njoftim.
Masat janë marrë mbi bazën e urdhëresave ekzekutive 14024 dhe 13662, të nënshkruara nga presidentët Joe Biden dhe Barack Obama.
Këto urdhëresa i mundësojnë autoriteteve amerikane të sanksionojnë subjektet që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbështesin ekonominë ruse. Fillimisht u vendosën pas aneksimit të Krimesë dhe më vonë u zgjeruan si përgjigje ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës.