Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dje, i shoqëruar nga kamerat dhe shumë gazetarë, vizitoi pacientët nga Maqedonia e Veriut, të cilët, pas zjarrit të tmerrshëm në një klub nate në Koçan, u transferuan për trajtim në Beograd.
Tragjedia, në të cilën humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 u plagosën, përfshirë ata me djegie të rënda, tronditi rajonin.
Edhe pse çdo ndihmë është e mirëpritur, veprimi i Vuçiçit shkaktoi kritika të ashpra, pasi ai organizoi një spektakël mediatik në dhomat e spitalit, duke injoruar protokollet mjekësore dhe dinjitetin e pacientëve.
Ai gjithashtu publikoi foto nga kujdesi intensiv në profilin e tij në Instagram, gjë që shumë e cilësuan si shfrytëzim të pahijshëm të tragjedisë për promovimin e tij personal.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra. “Pacientët me djegie të rënda janë jashtëzakonisht të ndjeshëm imunitarisht. Një turmë e tillë rreth tyre është e papërgjegjshme nga ana mjekësore!”, shkroi një përdorues në platformën X.
Të tjerë theksuan se në vendet e civilizuara, vetëm mjekët japin informacione mbi gjendjen e pacientëve, ndërsa Vuçiç, i rrethuar nga kamerat, mbajti një performancë politike direkt nga spitali.
Mediet dhe ekspertët maqedonas gjithashtu reaguan. Doktori Nenad Lazarov i bëri thirrje Vuçiçit të ndalonte krijimin e një cirku mediatik rreth njerëzve të plagosur rëndë.
“Faleminderit për ndihmën, por kjo nuk është mënyra. Djegiet janë plagë të hapura, një turmë e tillë rrezikon shërimin e pacientëve”, tha ai.
Ndërsa qytetarët e rajonit ndiejnë keqardhje për të prekurit nga tragjedia, veprimi i Vuçiçit tregoi edhe një herë prirjen e tij për të shfrytëzuar fatkeqësitë e të tjerëve për imazhin e tij politik, pa marrë parasysh etikën, protokollet mjekësore dhe dinjitetin e atyre që kanë vërtet nevojë për ndihmë.