Vuçiç: Nesër do të bisedoj me Putinin, Dodiku më tha mesazhin që duhet t’ia përcjell

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, foli sot pas takimit me presidentin e entitetit të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, Milorad Dodik, në Beograd.

Vuçiç, që në fillim të fjalës së tij, tentoi sërish të krijojë një efekt dramatik me deklaratën: “Kur dëgjoni se dikush ndoshta po përgatitet për një konflikt të armatosur, nuk mund të mos shqetësoheni”.

“Në Banja Llukë i kërkova Dodikut të bëjë thirrje për bisedime. Përveç fyerjeve, nuk morëm asgjë. Gjerat mund të zgjidhen me dialog dhe bisedime. Për fat të keq, në këtë kohë trazirash, është e qartë se Evropa do të përpiqet të distancohet nga SHBA-ja,” tha Vuçiç.

Ai shtoi se për këtë arsye, Serbia dhe entiteti i Bosnjës, Republika Srpska, nuk janë në një pozitë të favorshme.

“Evropës i duhet të tregojë forcën dhe pushtetin e saj. Këtë duhet ta kemi të qartë si në RS ashtu edhe në Serbi. Në Sarajevë ka gëzim për këtë. Dhe ky është një nga arsyet pse po realizohet ‘revolucioni i ngjyrosur’ në Serbi,” tha Vuçiç.

Ai përsëriti se “Serbia e respekton Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.

“Ne nuk merremi me ‘frymën e Marrëveshjes së Dejtonit’. Serbia angazhohet për paqe dhe do të bëjmë gjithçka për ta ruajtur atë ‘gati me çdo çmim’,” tha Vuçiç.

Më pas ai deklaroi se do ta përfshijë edhe presidentin e Rusisë në gjithë këtë çështje.

“Nesër do të kem një bisedë me presidentin e Rusisë. Presidenti Dodik më përcolli mesazhin që duhet t’ia përcjell Putinit dhe unë do ta bëj këtë,” theksoi Vuçiç.

Pastaj ai citoi presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili tha se “Evropa duhet të armatoset shpejt dhe brutalisht”.

“Ju e dini që Serbia ndjek trendet evropiane,” përfundoi Vuçiç.

Kategoritë
LajmeRajoni