Vuçiç nga ballkoni i tregoi djalit të Trumpit demonstruesit: “Këta duan të ndalojnë progresin”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç priti djalin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump Junior. Vuçiç tha se me djalin e presidentit Trump ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe SHBA-së, me theks të veçantë në ekonomi.

Ai e shfrytëzoi këtë mundësi për t’i treguar Trumpit Junior nga tarraca e ndërtesës së Presidencës, siç tha ai, “promenadën më të bukur” (Beogradin në ujë).

“Aty është promenada më e bukur”, tha Vuçiç, duke treguar me dorë drejt Beogradit në ujë.

“Nuk duket si arkitektura komuniste me të cilën jemi mësuar në Evropën Lindore”, u përgjigj djali i Trumpit.
“Po, saktësisht kështu”, tha Vuçiç.

Më pas ai u kthye nga ana tjetër.

“Këta janë njerëz që duan të ndalojnë këtë progres”, tha ai, duke treguar me dorë drejt protestuesve të mbledhur rreth ndërtesës së Presidencës së Serbisë.

Kjo nuk është hera e parë që Trump Junior viziton Serbinë, pasi ai ishte aty edhe gjatë shtatorit në një darkë biznesi ku tema kryesore ishte “investimet dhe atraktiviteti i ambientit të biznesit në rajon dhe në Serbi nga perspektiva e investitorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Asnjë përfaqësues i Qeverisë së Serbisë nuk ishte i pranishëm në atë darkë.

Donald Trump Jr. nuk është zyrtarisht pjesë e administratës aktuale amerikane, pra nuk ka ndonjë pozitë zyrtare, por është një figurë kyçe për dërgimin e mesazheve të qarta përmes rrjeteve sociale, ku ka miliona ndjekës.

Aktualisht nuk dihen më shumë detaje rreth asaj se çfarë saktësisht po bën ai në kryeqytetin serb.

Kategoritë
LajmeRajoni