Vuçiç, Orban dhe Fico u takuan në Sllovaki, dhe tema kryesore ishin migrimet: “Në Bruksel ka rebelim”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe kryeministrat e Sllovakisë dhe Hungarisë, Robert Fico dhe Viktor Orban, u takuan në Sllovaki, ku mbajtën një takim trilateral në të cilin diskutuan për çështje të shumta politike.

I pari që komentoi takimin ishte presidenti i Serbisë, i cili tha se gjithmonë është kënaqësi të takohet me miqtë.

“Sot, në Sllovaki, kemi tema të rëndësishme përpara nesh, që kanë të bëjnë me sigurinë e Evropës dhe të rajonit tonë. Për Serbinë, vendosja e bashkëpunimit trilateral në fushën e migrimeve me vendet mike Sllovakinë dhe Hungarinë është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që takimi i sotëm të jetë vetëm hapi i parë drejt bashkëpunimit që do të sjellë rezultate konkrete, siç kemi pasur me Austrinë dhe Hungarinë”, tha Vuçiç.

Takimin e komentoi edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Samiti për migrimet me presidentin Vuçiç dhe Robert Fico. Në Bruksel ka rebelim kundër migrimeve. Pakti i Brukselit për migrimet është pjesë e problemit dhe jo zgjidhja. E vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën evropiane të migrimeve është mbrojtja e kufijve tanë dhe ndalimi i migrimeve. Kjo është arsyeja pse jemi këtu”, deklaroi Orban.

Për një politikë të ngjashme migrimi angazhohet edhe Robert Fico.

“Këto janë kundërmasa që i kanë mundësuar në masë të madhe BE-së të tejkalojë flukset migratore, sepse ajo që ndërmori Serbia nuk ishte vetëm në të mirë të saj, por ishin hapa që mbronin Sllovakinë, Hungarinë dhe gjithë BE-në. E gjithë BE-ja duhet të jetë mirënjohëse për këtë. Entuziazmi dhe energjia juaj e dedikuar ndaj migrimeve ilegale është për t’u lavdëruar”, tha Fico.

Kategoritë
LajmeRajoni