Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendon se një shumë e madhe parash është investuar për të rrëzuar pushtetin në Serbi, duke thënë se në gjashtë muajt e parë, organizatat joqeveritare (OJQ), të cilat ai i quajti politike, kanë marrë 78 milionë euro.
Vuçiç ka thënë se gjatë këtij dhe vitit të kaluar, në Serbi kanë hyrë shuma rekord parash përmes OJQ-ve të ndryshme dhe subjekteve të tjera, duke shtuar se bëhet fjalë për dhjetëra, madje qindra miliona euro.
“Ditët në vijim do të jenë shumë interesante dhe publiku do të mësojë se si funksionon kjo dhe si funksionon gjithçka tjetër. Do të shihet se një shumë e madhe parash është futur në vendin tonë me qëllim të padiskutueshëm për destabilizimin e Serbisë,” tha Vuçiç.
Duke komentuar raportin e Ministrisë së Jashtme të Kinës, në të cilin thuhet se Fondi Kombëtar Amerikan për Demokraci (NED) financoi protestat e vitit të kaluar në Serbi, Vuçiç tha se kur lexoi një pjesë të analizës, kërkoi raportin e plotë, në të cilin ka shumë gjëra interesante edhe për vende dhe entitete të tjera.
“Gjëra të çuditshme kanë ndodhur në Serbi, si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit. Kur thoni se nuk do të ketë asnjë gërmim të litiumit për dy vjet, dhe ata që protestojnë vazhdojnë të këmbëngulin për këtë temë, atëherë kjo është shumë e çuditshme, ashtu si edhe demonstratat e vitit të kaluar, të cilat u nisën kur një monstrum vrau fëmijë në një shkollë që kishte roje dhe çdo gjë tjetër,” tha Vuçiç.
Ai shtoi se për rrëzimin e tij, një shumë e madhe parash ishte investuar që para shtatë-tetë vjetësh dhe se duke përfshirë përmbajtjen mediatike dhe gjithçka tjetër, bëhet fjalë për miliarda euro.