Vuçiç: Që nga viti 2027, do të përdorim makina fluturuese në Serbi, as tufat e shpendëve nuk mund t’i dëmtojnë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se synimi i këtij vendi është që në vitin 2027 të fillojë përdorimin e makinave fluturuese.

Ai bëri të ditur se për këtë çështje ka diskutuar me përfaqësuesit e kompanisë Archer gjatë Forumin Ekonomik Botëror.

Vuçiç u tha mediave serbe se kompania Archer është “një nga më të njohurat që merret me makina fluturuese, avionë pa pilot dhe trena fluturues”.

“Filluam të negociojmë blerjen e të paktën tre mjeteve fluturuese dhe po diskutojmë gjithashtu me miqtë tanë kinezë, të cilët tashmë kanë zhvilluar shumë gjëra dhe në disa qytete të tyre tashmë përdorin makina fluturuese. Ne do të përpiqemi që deri në mesin e vitit 2026 të përfundojmë gjithçka që lidhet me përgatitjet dhe rregulloret, në mënyrë që në vitin 2027 të mund të udhëtojmë me makina fluturuese,” tha Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia, si mikpritëse e Ekspozitës Ndërkombëtare të Specializuar Expo 2027, dëshiron të tregojë “se është një vend që modernizohet dhe zhvillohet më shpejt në Evropë”.

“Me kompaninë Archer kemi nënshkruar tashmë një lloj memorandumi dhe kemi bërë një marrëveshje për Expo 2027. Më interesoi të di nëse makina mund të rrezikohet nëse ndeshet me një tufë shpendësh. Realisht, nuk mund të ndodhë dhe është shumë më e sigurt se helikopterët,” shtoi Vuçiç.

Në lidhje me marrjen e detyrës nga Donald Trump si president i SHBA-së, në një inaugurim që ai nuk e ndoqi, Vuçiç tha se tre gjëra do ta karakterizojnë presidencën e Trumpit: lufta kundër “shtetit të thellë” në SHBA për të kursyer sa më shumë para për projektet e tij, ulja e deficitit tregtar me Kanadanë, BE-në dhe Kinën, dhe përpjekja për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Trump e sheh siç duhet se energjia është ajo që do të udhëheqë botën në 20 vitet e ardhshme dhe do të ketë shumë probleme. Energjia dhe ushqimi, madje edhe uji, do të jenë gjërat kryesore në 20 vitet e ardhshme. Nëse do të mund të kapim ritmin që përcaktojnë SHBA dhe Kina, kjo është shumë e vështirë,” tha Vuçiç.

Vuçiç theksoi se SHBA-ja ka deficitin më të madh tregtar me Kanadanë, më pas me BE-në dhe Kinën.

“Ai do të duhet të bëjë një marrëveshje me Kinën dhe mendoj se do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e Komisionit Evropian dhe institucioneve evropiane. Nuk mund të them se jam i lumtur për këtë. Dhe pastaj do të përpiqet të ndërtojë marrëdhënie me vendet anëtare të BE-së për të treguar forcën amerikane dhe për të ulur deficitin,” tha Vuçiç.

Ai theksoi se Trump “e sheh situatën në mënyrë racionale dhe logjike” dhe ngre pyetjen se përse SHBA-ja duhet të mbrojë ushtarakisht BE-në, ndërkohë që ajo fiton aq shumë nga tregtia me SHBA-në.

“A është kjo e mirë për ne? Nuk do të vija bast,” përfundoi Vuçiç.

Kategoritë
LajmeRajoni