Vuçiç: Tre muaj bllokadë shkatërruan ekonominë e Serbisë

Presidenti serb akuzoi vendet fqinje për mbështetjen e protestave kundër qeverisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot në Krepoljin se Serbia do të qëndrojë dhe do të triumfojë ndaj të keqes që e ka sulmuar nga jashtë dhe që synon ta shkatërrojë. Ai theksoi se tre muaj bllokadë kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, raporton Anadolu.

Gjatë një bisede me qytetarët në Shtëpinë e Kulturës në Krepoljin, në ditën e tretë të vizitës së tij në Serbinë Lindore, Vuçiç tha se mjafton të shikosh ata që janë bashkuar dhe mbështesin ata që janë kundër Serbisë – nga Albin Kurti te kroatët dhe Sarajeva – dhe gjithçka është e qartë.

“Nuk ka nevojë që dikush t’ju shpjegojë më shumë. Nuk ka nevojë që dikush të thotë diçka tjetër. Mjafton të shihni ata që janë bashkuar në luftën kundër Serbisë dhe do të kuptoni gjithçka. Do ta përballojmë këtë. Na shkatërruan tre muajt, na i hëngrën tre muajt”, tha Vuçiç, sipas raportimeve të Tanjug.

Ai theksoi se tre muaj bllokadë kanë shkatërruar ekonominë e Serbisë, por gjithashtu tha se “do ta ringremë Serbinë” dhe shprehu bindjen se Serbia këtë vit do të jetë ndër tre vendet e para në Evropë për rritjen ekonomike.

“Na shkatërruan ekonominë për tre muaj, por njëherë na e shkatërruan edhe për 12 vjet dhe ia dolëm ta ngrinim Serbinë. Do ta ringremë Serbinë edhe pas këtyre tre muajve bllokadë, shkatërrimi, papunësie, papërgjegjshmërie dhe dëmtimi. Këtë vit besoj se do të jemi ndër tre vendet e para për rritjen ekonomike në të gjithë Evropën.”

Studentët dhe qytetarët po protestojnë që nga fundi i vitit të kaluar, pas tragjedisë së 1 nëntorit, kur shembja e një mbulese në Stacionin Kryesor Hekurudhor në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 15 personave.

Në bllokada janë përfshirë të paktën 63 fakultete nga pesë universitete shtetërore, dy fakultete private dhe katër shkolla të larta profesionale.

Kryeministri i Serbisë, Miloš Vučević, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, ndërsa në mbarë vendin janë nisur hetime dhe operacione arrestimi për të dyshuarit në aferat korruptive.

Kategoritë
LajmeRajoni