Vuçiç viziton njësitet e ushtrisë serbe në Kraljevë dhe Rashkë

Presidenti i Serbisë mbrëmë u takua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur mbrëmë se ka kryer një vizitë të njësive të Ushtrisë Serbe ndërmjet Kralevës dhe Rashkës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Diku midis Kralevës dhe Rashkës, realizuam një vizitë të njësive të ushtrisë sonë, heronjve tanë dhe shkuam në një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se gjithçka, në urtësinë serbe, si dhe forcën dhe vendosmërinë. Rroftë Serbia e lirë”, ka shkruar Vuçiç në llogarinë në Instagram.

Mediat lokale njoftuan se Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, do të bisedojnë me përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës në kazermën në Rashkë. Bisedimet kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit.

Pas takimit të djeshëm me Patriarkun Porfiri, Vuçiç tha se përfaqësuesit e Serbisë tani janë duke biseduar me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse, siç shtoi ai: “Beogradi duhet të përfaqësojë interesat e popullit serb”.

Për më shumë se dy javë serbët kanë bllokuar me makineri të rëndë rrugët në veri të Kosovës, për shkak të arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, i dyshuar për sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Disa ditë më vonë, Sllagjan Trajkoviç, një tjetër ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua dhe u akuzua për akte terroriste. Të dyve iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Më 10 dhjetor, kur u vendosën barrikada në rrugë, policia e Kosovës mbylli dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak, për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Arrestimeve dhe barrikadave u paraprinë incidente në veri të Kosovës për shkak të përgatitjeve të autoriteteve kosovare për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna me shumicë serbe, të cilat më pas u shtynë për në prill të vitit të ardhshëm.

Kategoritë
LajmeRajoni