Vuçiq anulon pjesëmarrjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë pas emërimit të Rashiqit nga Kurti

Vuçiq anulon pjesëmarrjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë pas emërimit të Rashiqit nga Kurti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të udhëtojë për në Tiranë më 6 dhjetor për samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për emërimin e Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim nuk mori dënimin e merituar të BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Emërimi i Rashiqit është i turpshëm, fjala më e butë që mund të përdoret. Ai njeri (Rashiq) fitoi më pak se një për qind në zgjedhje, ashtu si Rada Trajkoviq, e cila ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe përjashtimin e serbëve nga Kosova”, ka thënë Vuçiq për median serbe.

Vuçiq e ka quajtur Rada Trajkoviqin, e cila është emëruar këshilltare e Rashiqit, “fundërrinë serbe”, ndërsa Kurtin e ka quajtur “fundërrinë terroriste”.

Ai e cilësoi Rashiqin si marionetë të Albin Kurtit.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot emëroi politikanin Nenad Rashiq në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kjo pozitë deri më 6 nëntor 2022 mbahej nga ish-ministri Goran Rakiq nga partia më e madhe serbe Lista Serbe, i cili dha dorëheqje me zyrtarët e tjerë serbë nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë lidhur me regjistrimin e targave ilegale që qarkullojnë në komunat me shumicë serbe.

Nenad Rashiq para vitit 2013 ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Më 2020, kryeministri Kurti e pati emëruar Rashiqin si drejtor të Zyrës për Komunitete, mirëpo ai pati dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale. Për akuzën për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, Rashiq është liruar më pas nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kategoritë
LajmeVendi