Vuçiq e pranon se u takua me Radoiçiqin para sulmit terrorist në Banjskë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka pranuar se ishte takuar me Milan Radoçiqin, kryeorganizatorin e sulmit terrorist të 24 shtatorit, para se të ndodhte  rasti i Banjskës.

Në një intervistë të fundit të dhënë për Tv Happy, Vuçiq zbulon detaje nga takimi ku thotë se përpos Radoiçiqit ishte edhe Slavko Simiq i Listës Serbe.

“Le të kthehemi te Banjska. Ka vepra penale dhe ata do të përgjigjen. E  ndërmorën sepse ndiheshin të pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë tjetër. Ka pasur takime me ta për tre netë, ka qenë Radojiçiq, Simiq dhe një duzinë djem të tjerë. Ata më thonë në sy se nuk u besojnë amerikanëve dhe evropianëve dhe unë u them se duhet t’u besoj atyre se nuk kam njeri tjetër, sepse ata janë në terren. Me firmosje garantuan se shqiptarët nuk do të arrestonin askënd që ishte në barrikada. Dhe kur ata nënshkruan, tre muaj më vonë filluan arrestimet”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë, ndërkohë së ndaj Serbisë nuk ka pasur ndonjë sanksion nga Perëndimi si kundërpërgjigje për agresionin mbi Kosovën.

Kategoritë
LajmeRajoni