Vuçiq-Escobar: Serbia e përkushtuar për vazhdimin e dialogut me Prishtinën

“Escobar shprehu pritjet se dialogu Beograd-Prishtinë për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve do të vazhdojë me dinamizëm dhe konstruktivitet”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka diskutuar temën aktuale të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, mundësitë për vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, transmeton Anadolu Agjencia (AA).

Siç u njoftua nga kabineti i presidentit serb pas takimit, Vuçiq edhe një herë theksoi përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel deri më tani dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

“I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, shprehu pritjet se dialogu Beograd-Prishtinë për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve do të vazhdojë me dinamizëm dhe konstruktivitet, që është e rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për paqen e përgjithshme, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, si dhe përfundimin e shpejtë të negociatave”, njoftoi kabineti i presidentit serb.

Kategoritë
LajmeRajoni