Pas tensioneve të krijuara në veri të Republikës së Kosovës si rezultat i veprimeve të strukturave ilegale të Serbisë për kundërshtimin e reciprocitetit të dokumenteve dhe targave, BE-ja ka ftuar më 18 gusht në Bruksel për një takim kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Në prag të këtij takimi të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, në Beograd janë aktivizuar pjesëtarë të Qeverisë përfshirë edhe kryeministren Ana Brnabiq e cila edhe i është vënë në përkrahje të plotë presidentit serb para takimit me kryeministrin Kurti.
Siç pretendon Brnabiq në përpjekjen e saj për t’ia bërë avokatin Vuçiqit, kreu i Qeverisë së Kosovës “ua ka mohuar” serbëve të drejtën për të votuar në zgjedhjet e Serbisë dhe në referendum.
Brnabiq gjithashtu ka thënë se “Vuçiq po shkon në Bruksel për paqe” dhe se do të “luftojë” për të në takimet me përfaqësues të NATO-s, SHBA-së dhe të Kosovës, raporton Gazeta Express.
“Ne kemi ardhur këtu me veprimet e njëanshme të Albin Kurtit dhe veprimet e papërgjegjshme të BE-së. Në prillin e vitit të ardhshëm bëhen 10 vjet që kur boshti i marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni i Komunave Serbe s’mund të implementohet sepse e gjithë BE-ja, që garanton marrëveshjen e Brukselit s’mund të detyrojë njerëzit në Prishtinë që ta implementojne atë dhe e hedhin topin në anën tonë dhe thonë “ju jeni fajtorët””, ka thënë kryeministrja serbe.
Përveç Brnabiqit, në mbështetje të Vuçiqit është vënë edhe ministri i financave të Serbisë, Sinisa Mali, i cili takimin e 18 gushtit në Bruksel e ka paraqitur si një zhvillim tepër të vështirë derisa ka thënë se të gjithë duhet vënë në mbështetje të presidentit serb.
“Unë e mbështes plotësisht Presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili përballet me një sfidë tjetër të vështirë dhe të madhe – një udhëtim në Bruksel për dialogun Beograd-Prishtinë. Presidenti Vuçiq ka treguar vazhdimisht guxim dhe vendosmëri kur bëhet fjalë për interesat serbe. E di që, si gjithmonë, ai tani, presidenti dhe në Bruksel vendosmërisht dhe në mënyrën më të mirë të mundshme do të përfaqësojnë dhe mbrojnë pozitat e Serbisë dhe qytetarëve të saj, me një qëllim të qartë, që është ruajtja e paqes dhe stabilitetit, prandaj është e rëndësishme që në këto momente të vështira të gjithë së bashku, të bashkuar, i japim mbështetje të plotë një presidenti që e vë Serbinë në radhë të parë, që punon për mirëqenien e saj dhe me të cilin vendi ynë ecën përpara”, ka shkruar Mali në profilin e tij në Instagram./Express/