Vuçiq kujton takimin para 7 viteve me Ramën: Tani i kuptojmë dallimet tona për Kosovën

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka folur në konferencën për media pas samitit të “Ballkanit të Hapur” që po mbahet në Beograd.

Në fjalën e tij, Vuçiq ka deklaruar se dje në panairin e verës është njohur më afër me prodhuesit e verërave të Shqipërisë dhe vendeve tjera anëtare të “Ballkanit të Hapur”, shkruan lajmi.net.

Ai nuk ka kaluar pa përmendur edhe Kosovën, duke kujtuar takimin e parë në Beograd dhe në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

“Gjithmonë do të gjendet dikush që do të ankohet për diçka. Por duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mos e ulur rëndësinë e evenimenteve. Kam pyetje për miqtë nga Shqipëria, kur Edi Rama erdhi para 7 vitesh në Beograd dhe unë në Shqipëri, ne e shihnim njëri-tjetrin nga një skaj tjetër, ai foli për Kosovën, unë fola për Kosovën, por tani ne i kuptojmë dallimet tona. Ne zgjidhëm problemet me Maqedoninë e Veriut, me Malin e Zi, a nuk është një gjë e mirë kjo? Duhet t’i zgjidhim problemet tona e jo të merremi me fjalët si “ai më tha kështu… të kthehemi këtu”, nuk i dua këto”, ka deklaruar Vuçiq.

Presidenti serb ka thënë se e mbështet ecjen përpara të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa ka thënë se takimet e tilla në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të bëjnë këto vende që të ndihmojnë njëra-tjetrën.

Në fund, Vuçiq ka thënë se çdo vend që është i interesuar të marrë pjesë është i lirë t’i bashkohet nismës. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeRajoni